19/04/2024
2.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sela: Bëhet presion mbi familjarët e viktimave nga zjarri në Tetovë, që të mos zbardhet e vërteta

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, nëpërmjet postimi në Facebook ka ngritur akuza ndaj udhëheqësve shtetërorë, duke thënë se të njëjtit bëjnë presion mbi familjarët e viktimave nga zjarri në Tetovë, në mënyrë që të pengojnë hetimin e drejtë.

Sela thotë se Ibin Emshiu, i cili humbi babain dhe vëllaun në zjarr, ka denoncuar se po e kërcënojnë që të mos flasë dhe të tregojë të vërtetën për kushtet dhe zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

“Sikur mos mjaftonin 14 viktimat e djegura së gjalli, në vend që të sigurojë hetime të drejta dhe rasti mos përsëritet, pushteti po tenton që me kërcënime dhe shantazhe të amnistoje veten nga përgjegjësia. Ditëve të kaluara po bëhet presion mbi familjarët e viktimave dhe mjekët e spitalit të Tetovës. Ibin Emshiu, i riu që humbi babain dhe vëllaun në zjarr ka denoncuar se po e kërcënojnë që të mos flasë dhe të tregojë të vërtetën për kushtet dhe zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë. Nga ana tjetër disa mjekë kanë denoncuar se u bëhet presion që të nënshkruajnë peticion në mbrojtje të njërit drejtor të spitalit të Tetovës, në stil të njëjtë si tentimi i drejtorëve të klinikave të Shkupit për të shpëtuar Filipçen”.

“Ju bëj thirrje që urgjentisht të ndaloni presionet e këtilla, leni hetuesit të bëjnë detyrën e tyre pa ndërkëmbëza politike. Respektoni viktimat dhe familjet e tyre, si dhe stafin mjekësor që edhe ashtu e keni lënë të punojë në kushte mizore. Ju siguroj se, o sot o nesër, përgjegjësit për djegjen e 14 shpirtrave, si dhe ata që pengojnë hetimin, kërcënojnë e shantazhojnë, do të zbulohen dhe do të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Sela.

Ndryshe, për të zbardhur të vërtetën për zjarrin në Tetovë nga i cili humbën jetën 14 pacientë, ndërsa 12 të tjerë u lënduan, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ftuar ekspertë ndërkombëtarë./Telegrafi/

Të fundit