20/04/2024
6.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sfidat e nxënësve të RMV-së në karantinë, për të lexuar lektyrat shkollore

Lektyrat në shkollën fillore për semestrin e dytë nuk kanë rënë në dorën e nxënësve, ndonëse sipas klasave janë strukturuar dhe janë bërë edhe listat e lektyrave për lëndën e gjuhës shqipe. Gjatë mësimit online, nxënësit janë rekomanduar nga mësuesit e tyre, për të lexuar, që të përvetësojnë shkrim-leximin. Mirëpo, lektyrat si në vitet paraprake nuk kanë ardhur te nxënësit, këtë semestër shkollor, shkruan Portalb.mk.

Sipas mësueseve edhe pse nuk është mundësuar që fëmijët të furnizohen me libra, gjegjësisht lektyrat e parapara, sipas planprogramit mësimor ata kanë shfrytëzuar në një mënyrë tjetër të duhur. Njëherë, për të mos dalë nga plani i programit të mësimit dhe e dyta për të pasuruar fjalorin.

“Në plan-programet mësimore, gjatë periudhës së mësimit online, për shkak të korona virusit është dashur të zhvillojmë edhe lektyra shkollore. Për ta arritur më të mirën për nxënësi tanë,vendosa të përdor bibliotekën e shtëpisë për t’i kënaqur ato, sa do pak. Nxënësve u shpjegova që do të lexojnë lektyrë online. Lektyra, tashmë shumë tërheqëse për fëmijët, “Zoki Poki”, me autore Olivera N. Lektyrë e përshtatshme për moshën e kl-V. Mënyra më e mirë se si do ta lexonin librin, nxënësit, do të ishte që çdo ditë do t’u dërgoja nga 10 faqe, me fotografi, në viber. Kjo mënyrë vazhdoi kështu, derisa përfunduam librin. Lektyra është pëlqyer shumë. Tani nxënësit janë duke lexuar librin, “Një limonadë me miza për kontin”, autor Jeronim Stillton. Lektyra lexohet nga nxënësit për çdo ditë nga 10 faqe, që e dërgoj me fotografi. Duke lexuar ata ecin në hap me kohën dhe pasurojnë jo vetëm fjalorin, por edhe dijen”, tha mësuese Ulza K. Hatipi, nga shkolla “Said Najdeni”, Dibër.

Por, një shkollë tjetër, në bashkëpunim me bibliotekën e qytetin kanë bërë përpjekje që ta gjejnë librin në formë elektronike, ku edhe u është shpërndarë nxënësve që kanë ndjekur mësimin online.

“Klasa e IV, në mungesë të përvetësimit të lektyrave të shkollës, për t’u gjendur e për të mos anashkaluar orën, sipas plan programit, bashkëpunuam me kolektivin dhe ramë në përfundim që të gjendet libri “Lugjet e verdha” të shkrimtarit Rexhep Hoxha. Por, një mundësi e këtillë nuk u bë dhe u shfrytëzua një mënyrë me gjetjen e librit në formë elektronike, nga ana e bibliotekës së qytetit dhe u është shpërndarë nxënësve, të cilët në semestrin e dytë veror zhvilluan shkollën me mësim online. Nxënësit e kanë lexuar në formë elektronike dhe të njëjtën e prezantuan në orën e mësimit, sipas plan programit për orë të lektyrës. Gjatë vitit kemi patur pesë lektyra, ndër të cilat në semestrin e dytë fatmirësisht një lektyrë tjetër u është shpërndarë nxënësve para se të mbylleshin shkollat nga epidemia e kapluar”, tha mësuese Vjollca Kërluku, nga shkolla “Penestia”.

Mësueset njëzëri thonë se leximi i lektyrave shkollor, por edhe çdo libër tjetër, sipas moshës së fëmijëve u pasuron fjalorin. Sidomos ata që lexojnë rregullisht zakonisht kanë fjalor më të pasur se sa ata që rrallë lexojnë. Kështu që rekomandojnë që vazhdimisht nxënësit të lexojnë libra, jo vetëm ata libra të rekomanduara nga shkolla, po qe se në të ardhmen ëndërrojnë të bëhen shkrimtar apo folës publik (të dalësh shpesh para publikut), sepse libri është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fjalorit në të shprehur dhe shkrim.

Të fundit