25/04/2024
6.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shekerinska: Bëmë kthesë, në Mbrojtje dhe Armatë mund të investohet më mirë

(MIA) – Para dy viteve u ankuat për pagat e këqija, për kushtet e këqija në punë, për avancim, për keqpërdorim të banimit.. E dukshme ka qenë edhe rënia e lirë e Buxhetit të Armatës, e kjo ka reflektuar mbi të hyrat, kushtet, por edhe moralin. Me mburrje sot mund të them se kemi bërë kthesë, dëshmuam se edhe në mbrojtje dhe Armatë mund të investohet më tepër dhe më mirë. Në këtë mënyrë iu drejtua ushtarëve sot ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në kazermën “Ilinden”.

“Vërtetë është kënaqësi për mua, që për vetëm dy vite, treguam se rrogat si të personelit civil, po edhe të atij ushtarak në Armatë, mund të rriten në vazhdimësi. Nga muaji i ardhshëm çdonjëri prej juve do të fitoj 7.500 denarë për banim dhe do të rritet me rritjen e rrogës mesatare”, porositi Shekerinska, para ushtarëve në “Ilinden”.

Ministrja Shekerinska dha shembull për një ushtar profesionist, ku sipas saj nga rroga më e ulët prej 20 mijë denarë, nga muaji i ardhshëm të hyrat e përgjithshme do t’i rriten mbi 30 mijë denarë, që i bie më tepër se 50 për qind. Sipas Shekerinskës, rritje të pagës do të ketë edhe te personat civil prej 27 për qind.

Në dy ditë para ratifikimit të Protokollit me NATO-n, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ministrja Shekerinska, atyre që janë para pensionimit u dha porosi që mos të brengosen, për shkak se me ndryshimet e Ligjit, çdo pjesëtar i Armatës, do të shkoj në pension me 80 për qind nga 10 vitet e tij më të mira. Ndërsa, në momentin e parë të shkuarjes në pension do të ketë stimulim shtesë.

Ajo po ashtu u ndal edhe për nevojat e pajisjeve të reja të Armatës, për çka përkujtoi se vitin e kaluar për herë të parë u siguruan çizme për çdo pjesëtar të Armatës, ndërkaq nga ky muaj do të filloj edhe shpërndarja e uniformave për të gjithë ushtarët.

“Pajtohem se nuk duhet të flasë për çështje themelore siç janë çizmet dhe uniformat, për 10 – 15 vite u fliste për këtë problem dhe nuk u zgjodh. Këtë javë do të fillojë shpërndarja edhe e pajisjeve sportive për pjesëtarët e Armatës, prej të cilëve kërkojmë të jetë të përgatitur fizikisht”, tha Shekerinska.

Ndryshe, ajo potencoi se Maqedoninë e Veriut, e ndajnë disa ditë nga anëtarësimi në NATO dhe kjo është meritë e përbashkët, para se gjithash e ushtarëve. Për periudhën që vijon ministrja Shekerinska, paralajmëroi plane ambicioze për modernizimin e Armatës, posaçërisht për këmbësorinë e lehtë me blerjen e 33 automjeteve të rënda, numër i cili viteve në vijim pritet të arrijnë deri në 150. oxh/fab

Të fundit