20/04/2024
6.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shekerinska: Presim që këtë vit tërësisht të fillojnë negociatat me BE-në, momentalisht prioritet është përballja me epideminë

Presim që gjatë këtij viti të fillojnë plotësisht negociatat për anëtarësim në BE, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, pse në Samitin e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor ishte i vendosur fokusi në pandeminë, jo në zgjerimin.

“Pesë vjet ose 10 vjet më parë, do të ishte i rëndësishëm Samiti, ku do të përmendej fjala “zgjerim”. Tani fjala “zgjerim” dhe fjala “bisedime aderuese” janë pjesë të konkluzioneve të BE-së lidhur me Maqedoninë e Veriut. Kishte shumë skeptikë, kishte njerëz që pohuan, sidomos nga opozita, se këtë vit nuk ka shanse që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat, por megjithatë BE-ja tregoi që në momentet më të vështira, e ajo ishte fundi i marsit, kur epidemia u bë problemi numër një në botë, mundën të arrijnë një konsensus të plotë dhe të marrin vendim për fillim të negociatave me Maqedoninë e e Veriut dhe Shqipërinë”, tha ministrja.

Është normale, shtoi ajo, që samiti i Zagrebit do të ishte plotësisht në funksion dhe nën hijen e epidemisë.

“Në secilin prej vendeve tona ne shohim se gjithçka tjetër është bërë një çështje dytësore sepse kur keni një betejë për shëndetin dhe jetën, ajo gjithmonë ka përparësi. Dhe ajo që unë mendoj se edhe samiti ka treguar është se Bashkimi Evropian ka arritur të tregojë unitet dhe solidaritet të lartë ndaj nesh në një periudhë shumë të shkurtër. Paratë që kemi marrë tashmë janë shumë të rëndësishme për luftën kundër epidemisë, por edhe për buxhetin dhe gjendjen tonë ekonomike. Por, ajo që u tha edhe në Samit është se Unioni po planifikon fonde shtesë, me të cilat do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe betejën me epideminë në të gjithë rajonin. Jemi në një betejë të vazhdueshme, nga njëra anë për të mbrojtur jetën, për të mbrojtur shëndetin, por nga ana tjetër për t’i dhënë një shans ekonomisë ta përballojë këtë goditje të madhe”, theksoi Shekerinska.

Ajo përkujtoi se një numër i madh biznesesh u detyruan të mbyllen përkohësisht për shkak të masave kufizuese.

“Ne i lehtësojmë ngadalë masat kufizuese, por duhet të mbajmë llogari që ta minimizojmë goditjen e valës së dytë, të cilën të gjithë po e paralajmërojnë se do të ndodh në gjysmën e dytë të vitit. Tani kemi nevojë edhe për ndihmë, tani kemi nevojë për financa që shteti i gatshëm të mirëpresë valën e dytë të epidemisë së kovidit dhe mendoj se mbështetja e BE-së po dëshmon se është kyçe në këtë periudhë. Dhjetë ditë më parë, Banka Botërore lëshoi ​​një raport për të gjitha vendet e rajonit dhe parashikimet e tyre për atë që do të ndodhë më pas. Një nga fjalitë fillestare në raportin e Bankës Botërore për ne ishte se Maqedonia e Veriut do të kthehet më shpejt dhe ta tejkalojë këtë goditje të madhe ekonomike për shkak të anëtarësimit në NATO dhe për shkak të fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse ne kemi investuar në këto dy qëllime strategjike. Sepse ekonomia jonë do të jetë më e fuqishme dhe mbështetja do të jetë më e madhe”, theksoi zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, e cila sot ishte për vizitë në Negotinë dhe inspektoi rindërtimin e rrugës Krivollak – Pepelishte. mb/

Të fundit