23/04/2024
9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shmanget kriza financiare në ShBA, Senati miraton rritjen e kufirit të borxhit

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka miratuar projektligjin për rritje të tavanit të borxhit të ShBA-së, duke mundësuar që qeveria amerikane të vazhdojë të paguajë faturat e saj.

Propozimi është miratuar me 63 vota pro dhe 36 kundër, katër ditë përpara se ShBA-ja të falimentonte.

Sipas procedurës, Ligji duhet të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Joe Biden.

“Sonte, senatorët nga të dyja partitë votuan për të mbrojtur përparimin ekonomik të arritur me vështirësi dhe për të parandaluar falimentimin e parë ndonjëherë të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë presidenti Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e kaloi ligjin me mbështetje të gjerë nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë të mërkurën, për të lejuar qeverinë të vazhdojë të marrë hua më shumë para për të përmbushur detyrimet e saj financiare, duke tejkaluar tavanin aktual të borxhit prej 31.4 trilion dollarësh.

Autoriteti i huamarrjes do të zgjatet deri më 2 janar 2025, dy muaj pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Për më tepër, projektligji kërkon mbajtjen e shumicës së shpenzimeve federale në nivelet aktuale gjatë vitit të ri fiskal që fillon në tetor, me një rritje prej 1 për qind gjatë 12 muajve të ardhshëm.

“Gjëja përgjegjëse për Amerikën është ta miratojë atë”, ka thënë senatori demokrat, Dick Durbin përpara votimit.

Si udhëheqës i shumicës demokratike në Senat, Chuck Schumer, ashtu edhe kreu i pakicës republikane, Mitch McConnell, mbështetën shfuqizimin e kufirit të borxhit dhe bënë thirrje për miratimin e shpejtë të projektligjit.

“Koha është një luks që Senati nuk e ka nëse duam të parandalojmë falimentimin. Nuk ka asnjë arsye të mirë për të mos përfunduar këtë proces. Vendi nuk mund ta përballojë këtë tani”, ka thënë Schumer.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin me 314 vota kundër 117 kundër, pavarësisht kundërshtimeve nga përfaqësuesit republikanë të ekstremit të djathtë, të cilët thanë se ai nuk shkoi aq larg sa duhet në shkurtimin e shpenzimeve.

Demokratët, nga ana tjetër, kanë thënë se ligji shkurton shumë shpenzimet e qeverisë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, republikan, ka thënë se miratimi i projektligjit “nuk ishte një luftë e lehtë”.

“Ne vendosëm qytetarët e Amerikës në rend të parë dhe morëm një rrugë më të lehtë. Ne nuk e ngritëm vetëm tavanin e borxhit, si në të kaluarën, por arritëm të shpenzojmë edhe më pak”, ka thënë McCarthy.

Kjo masë nuk rrit taksat dhe nuk parandalon rritjen e mëtejshme të borxhit kombëtar, i cili vlerësohet të jetë 3 trilionë dollarë të tjerë deri në janar të vitit 2025. /REL

Të fundit