19/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shpallje e gjendjes së krizës, por pa kufizime – vendi para dimrit më të vështirë energjetik

Vendin e pret një dimër shumë i vështirë dhe i paparashikueshëm në aspektin energjetik, i cili nuk varet vetëm nga Maqedonia e Veriut apo vendet e rajonit, përkundrazi, varet nga mënyra se si do të zhvillohet situata me luftën në Ukrainë, paralajmëroi dje ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe me këtë rast porositi se nuk pret të ketë kufizime nëse gjithçka shkon sipas planit.

“Nuk priten kufizime të energjisë elektrike, edhe nëse kemi ndalim të importit të energjisë elektrike dhe gazit në vend. Në muajin gusht do të kërkojmë sërish shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e energjisë elektrike për të pasur mundësi të ndërhyjmë përmes masave shtesë për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore”, tha Bekteshi në konferencën e sotme për media, ku informoi për hapat dhe masat e ardhshme që do të ndërmerren për të mbrojtur qytetarët nga goditja e çmimeve.

Ai me këtë rast tha se do të kemi dimrin më të vështirë, situata është shumë e vështirë dhe e paparashikueshme, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit, por edhe në varësi të asaj se si do të zhvillohet lufta në Ukrainë.

“Ne jemi duke punuar në ofrimin e mënyrave alternative të furnizimit me energji, nëse kemi ndalim të plotë të importit të gazit në mënyrë që ngrohtoret dhe objektet industriale të funksionojnë. Në seksionin për burimet alternative, sipas ligjit, parashikohet edhe kalimi i tyre në një burim tjetër energjie, pra në mazut”, tha Bekteshi.

Lidhur me furnizimin me gaz për sezonin e ardhshëm të ngrohjes, ministri Bekteshi potencoi se po bëhen përpjekje që të ketë burime alternative të furnizimit, duke qenë se Maqedonia e Veriut është plotësisht e varur nga gazi rus.

“Nëse arrijmë në bashkëpunim me Bulgargastrans të çlirojmë një pjesë të kapaciteteve të gazsjellësit që kemi me Bullgarinë, i cili është plotësisht i marrë me qira nga Gazprom, atëherë do të jemi në gjendje të furnizohemi me gaz nga Azerbajxhani apo Turqia, nëse Rusia ndalon dërgesat tona të gazit”, tha Bekteshi.

Ministri i Ekonomisë gjithashtu informoi se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka dhënë dje 100 milionë euro për likuiditetin e SH.A. EMV në mënyrë që gjatë vitit të ketë fonde për të blerë energji elektrike nëse ka mungesë dhe për të blerë qymyr dhe mazut për objektet e prodhimit vendas të energjisë elektrike.

“Do të blihet energjia elektrike, por edhe qymyr dhe mazut. Është planifikuar që të funksionojnë të tre blloqet në TEC Manastir, TEC Osllomej, TEC Negotinë dhe për momentin duhet të ruajmë kapacitetet hidroenergjetike që të kemi energji elektrike për periudhën e dimrit”, tha ministri.

Lidhur me paketën e masave kundër krizës që u njoftua, ministri Bekteshi informoi se Ministria e Financave është duke përgatitur një paketë të re masash, e cila do të fillojë të zbatohet në shtator dhe do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit dhe do të jenë të destinuara për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.

“Në vazhdimësi po marrim masa që të mos rriten çmimet e produkteve ushqimore bazë, siç janë masat që i miratoi Qeveria në seancën e kaluar me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, siç është ndalimi i eksportit të produkteve të caktuara dhe heqja e detyrimeve doganore. Për masat direkte si mbështetje direkte, Ministria e Financave është drejt fundit të hartimit të një pakete të re masash në bashkëpunim me Odat Ekonomike. Sipas mundësive që ka shteti, masat do të destinohen për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Një mbështetje e tillë do të ketë dhe ndoshta do të fillojë të realizohet nga shtatori”, tha Bekteshi.

Ministri i Ekonomisë gjithashtu informoi se javën e ardhshme, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, në Tiranë do të zhvillohen takime pune me ministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, ku do të diskutohen dhe propozohen masat për plotësimin e nevojave për ushqim dhe energji elektrike për qytetarët e vendeve të rajonit.

Do t’i ndjekim rekomandimet nga KE-së për mënyrën e pagesës për gazin rus

Si shtet synimi jonë është që të integrohemi plotësisht dhe të bëhemi anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse ne ndjekim politikat perëndimore dhe kur ndjekim tashmë politika të tilla, duhet të përballojmë së bashku të këqijat dhe të mirat. Gjithashtu do të ndjekim të gjitha rekomandimet për pagesën e gazit natyror rus, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Si Ministri e Ekonomisë, ne do të ndjekim të gjitha vendimet e marra nga Komisioni Evropian (KE) dhe çdo vendim që ata marrin do ta marrim ne nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, përfshirë edhe atë të energjencave. Interesi jonë është të rrisim besueshmërinë në fushën e furnizimit me energji dhe të diversifikojmë furnizimin me gaz natyror, ndaj së shpejti do të shpallet tenderi për ndërtimin e interkonektorit të ri të gazit me Greqinë. Kërkojmë nga KE-ja që të ndikojë në Bullgari për lirimin e kapaciteteve që janë blerë nga ana e “Gazprom”, deklaroi Bekteshi.

Ai theksoi se po bëhen përgatitje për të siguruar energji alternative që ngrohtoret dhe kapacitetet energjetike të punojnë në vazhdimësi sipas planeve të tyre të prodhimit, nëse Rusia vendos të ndalojë furnizimin me gaz natyror në vend.

Vendi aktualisht është 100 për qind i varur nga gazi natyror rus, të cilin e siguron përmes gazsjellësit me Bullgarinë, ku deri në vitin 2030 kompania ruse “Gazprom” ka blerës të gjitha kapacitetet për transportin e gazit deri në kufirin tonë. Ndërkohë, Banka Popullore ka vendosur rublën ruse në listën e kursit të këmbimit me çka ekziston mundësi për pagesën e gazit me monedhën ruse.

Kancelari gjerman Olaf Sholc sot informoi se shteti do ta shpëtojë njërin prej importuesit më të mëdhenj të gazit në Gjermani, “Uniper”.

“Nevojitet që ta stabilizojmë “Uniper”-in. Rreth 60 për qind e importit të gazit vjen përmes kësaj kompanie”, theksoi ai në konferencë për shtyp.

Sholc e ndërpreu pushimet me qëllim që në Berlin ta kumtojë pakon e masave për shpëtim të “Uniper”-it, importuesi më i madh i gazit rus në shtet.

“Me pronarët dhe me Qeverinë finlandeze, që është në strukturën pronësore, u dakorduam për zgjidhje, që parashikon të hyjmë në strukturën pronësore me pjesëmarrje prej 30 për qind. Do t’i blejmë aksionet me vlerë prej 1.70 euro, që është nën çmimin e tregut. Në dispozicion do të vendosim bono hibride në vlerë të përgjithshme deri në 7.7 miliardë euro, sqaroi kancelari gjerman.

“Uniper” me gaz në Gjermani furnizon shumë elektrana urbane, operatorë rajonalë, si dhe industri.

Për shkak të kësaj “Uniper” filloi të punojë çdo ditë me humbje të mëdha.

Pakoja e masave për shpëtimin e “Uniper”-it duhet të pranohet edhe nga Komisioni Evropian, madje më pas mund të zbatohen të gjitha masat.

Të fundit