29/06/2022
28.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shpërndarja e Këshillit Komunal të Tetovës – Kasami: Procesi duhet të zhvillohet sa më shpejtë

Qeveria duke shkelur afate merr vendim për shpërndarjen e këshillit komunal në Tetovë.

Vendimi i tillë vjen pas kërkesës që organi ekzekutiv mori nga Pushteti Lokal, pas mos miratimit të llogarisë përfundimtare deri më 31 mars ashtu siç parashikon Ligji mbi vetëqeverisjen lokale, shkruan Alsat.

Referuar dispozitave ligjore një vendim të tillë organi ekzekutiv ishte i obliguar ta merrte më 6 qershor. Ky vendim i Qeverisë tani i adresohet kreut të Kuvendit i cili duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve.

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami thotë se zgjedhjet duhet të caktohen sa më shpejtë, me qëllim që të mos mbeten mbrapa projektet për qytetarët e Tetovës.


“Fillimisht vlerësoj se është i vonuar, por populli thotë më mirë vonë se kurrë, sepse një kohë të gjatë, pra një muaj e tepër këshilli komunal dhe komuna është e bllokuar me situatën në të cilën gjendemi. Ne vlerësojmë se zgjedhjet duhet të jenë sa më shpejtë që Komuna e Tetovës të jetë funksionale me gjitha organet dhe institucionet e saja, këtu, duke pasur parasysh peshën e këshillit në pushtetin lokal, vlerësojmë që zgjedhjet duhet bë sa më parë të jetë e mundur na kuadër të ligjit, që të mund të kemi një këshill që do jetë në shërbim të politikave që do jenë në interes të qytetarëve të komunës së Tetovës”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.

Kasami shton se akoma është herët që të mendohet për koalicionet parazgjedhore për këshill, si mundësi për të siguruar shumicë të qëndrueshme.

“Fillimisht ne duhet të kemi vendimin formal të Qeverisë për shpërbërje të këshillit dhe vendimin e kryetarit të kuvendit për shpallje të zgjedhjeve dhe konform asaj, do të vendoset edhe dinamika e bisedimeve me subjektet politike dhe aktorët e faktorët tjerë relevant të Tetovës për bashkëpunimin eventual edhe parazgjedhor por edhe politikat që duhet t`i ofrojmë për qytetarët e Tetovës”, u shpreh ai.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet për anëtarë të këshillit nga data e caktimit deri në datën e mbajtjes nuk guxojnë të kenë më shumë e 70-90 ditë. Zgjedhje të parakohshme për këshill komunal nuk mund të mbahen në rast se zgjedhjet e ardhshme lokale janë më afër se gjashtë muaj./ Alsat.mk Gazetar: Adrian Kerimi

Të fundit