20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shtetas i parë i Maqedonisë së Veriut me korona virus, MPJ konfirmon: Është hospitalizuar në spital në Japoni

Janë konfirmuar simptomat e korona virusit te një nga 3 shtetasit e Maqedonisë që gjenden në Anijen “Dajmond Princes” në portin e qytetit japonez, Jokohama, bëjnë me dije nga Ministria e Punëve të Jashtme, informacione këto të cilat i ka marrë nga organet kompetente në Japoni. Qytetari ynë, siç thuhet, aktualisht është shtrirë në një spital në Japoni.

“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tokio është në komunikim me qytetarin tonë në fjalë. Njëkohësisht, ambasada në bazë ditore komunikon edhe me dy shtetasit e tjerë nga Maqedonia të cilët ende gjenden në anijen në Jokohama. Ata janë deklaruar se ndjehen mirë dhe se deri më tani nuk kanë pasur simptoma të cilat do të tregonin se janë infektuar me korona virus”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ministria e Shëndetësisë në Japoni vazhdon me kryerjen e testeve për korona virus te personat që gjenden në karantinën e anijes. Gjatë kryerjes së analizave, përparësi kanë personat me simptoma, personat mbi moshën 75-vjeçare dhe personat me sëmundje kronike.

“Pasi u paraqit korona virusi në anije, porti i Jokohamas i anuloi të gjitha ardhjet dhe nisjet e anijeve udhëtarësh. Shpresojmë se gjendja do të normalizohet sa më shpejt që është e mundur. Banorët e Jokohamas janë të shqetësuar për sigurinë e tyre, prandaj duam që t’i qetësojmë sa më shpejt”, deklaroi gjatë linjës telefonike Makoto Kaerijama nga Byroja e portit në Jokohama.

Sipas të dhënave të fundit, vetëm në anijen “Dajmond Princes” 61 udhëtarë janë prekur nga virusi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga virusi në Kinë është rritur në 1.310, kurse janë infektuar 48.206 persona.

Të fundit