07/10/2024
8.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shtyhet seanca gjyqësore për organizatorët e “27 Prillit”

Gazetar: Igor Stefanovski

Ish-shefi i policisë sekrete, Vladimir Atanasovski, në seancën publike për rastin “Organizatorët e 27 prillit” në Gjykatën e Apelit të Shkupit ka ardhur pa polic. Ai prej ditës së djeshme me vendim të gjykatës për heqjen e arrestit shtëpiak është i lirë. Sipas informatave të Alsat-it, Atanasovski ka garantuar me rreth 800 mijë euro se nuk do të largohet nga vendi. Por seanca publike për organizatorët e ndërhyrjes së përgjakshme në Kuvend në vitin 2017 u shty. Shkak për këtë ishte mungesa e ish-kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, i cili është pozitiv me koronavirus. Gjykata e Apelit ka caktuar seancë të re pas dy muajve, në të cilën do të paraqiten ankesat e të dënuarve të shkallës së parë. Është vetëm një ditë para se gjyqtarët të nisin me pushimet verore.

Seanca e Apelit do të mbahej një vit nga vendimi i Gjykatës Penale e cila dënoi gjithsej me 25 vjet burg organizatorët e të Enjtes së Përgjakshme.

Në atë kohë Prokuroria doli me qëndrim se dënimet e shqiptuara nga Penalja për veprën penale – kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë, ishin të ulëta dhe paralajmëroi ankimim të vendimit. Gjykata e Apelit do të vendosë edhe për ankesën e të akuzuarve që mendojnë se nuk janë fajtorë. Përveç Atanasovskit dhe Veljanovskit, si organizatorë akuzohen edhe ish-ministrat në Qeverinë e Gruevskit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski.

Sipas Prokurorisë, porositësi kryesor i ndërhyrjes në Kuvend është ish-kryeministri Nikolla Gruevski, por kundër tij dhe ndaj ish-zyrtarit të DSK-së, Nikolla Boshkovski, nuk është kërkuar gjykim sepse ata janë në arrati dhe sot e kësaj dite kanë statusin e te dyshuarve. Më 27 prill, të akuzuarit organizuan hyrjen e papenguar të protestuesve në Kuvend, Janakieski dhe Ristovski mobilizuan anëtarësinë e partisë dhe Gruevski nga Vjena urdhëroi ndërhyrje në Parlament. Të gjitha këto Gruevski i mohoi./Alsat.mk

Aktgjykime të Gjykatës Penale
Trajko Veljanovski 6 vjet e 6 muaj burg
Mile Janakieski 6 vjet e 3 muaj burg
Spiro Ristovski 6 vjet e 3 muaj burg
Vladimir Atanasovski 6 vjet burg

Të fundit