20/04/2024
3.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shumë punë e pak kohë, a është 13 gushti dita e marrëveshjes për qeverinë?!

Drejtuesit e LSDM-së dhe BDI-së, si dhe zyrtarët e tyre në grupet e punës, vazhdojnë të zhvillojnë në diskrecion të plotë negociatat për një shumicë që duhet të formojë qeverinë e re. Opinioni gjërë publik nuk di asgjë më shumë se sa nga deklaratat e Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti pas takimit të tyre dy orësh dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Nëse marrim parasysh deklaratën e Ahmetit “sa afër, aq edhe larg jemi nga formimi i qeverisë”, rrjedh se nuk është arritur asnjë përparim ditëve të fundit dhe se bisedimet kanë ngecur. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që të dy palët po bëjnë thirrje për “durim”, ose “rezultatet do të publikohen kur të vijë koha”, japin përshtypjen se ata ende shpresojnë për një proces të suksesshëm, shkruan in7.

As Zaev dhe as Ahmeti nuk zbuluan dje nëse pengesa për përparimin në bisedime është kërkesa e BDI-së për kryeeministrin. Zaev deklaroi shkurtimisht se “nëse ai hyn në komente, nuk do t’i ndihmojë procesit të negociatave”, poashtu edhe Ahmeti iu shmang një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Nuk dua të jem i pari që them fjalën e fundit. Ne jemi duke investuar që çështjet të shkojnë në drejtimin e duhur dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë për vendin sepse do të përfitojë stabilitet, si dhe afrim të komuniteteve. Shpresoj se të gjitha palët do të kenë një vullnet të fortë për të kapërcyer dallimet dhe vështirësitë,” ka thënë Ahmeti.

Sa i përket çështjes së një Kryeministri shqiptar, deri më tani ka vetëm spekulimet që qarkullojnë nga korridoret e partive. Sipas disave, BDI me sa duket insistoi në modelin e 3 viteve kryeministër i LSDM-së, një vit kryeministër i BDI-së, dhe kinse diskutohet se kush duhet të jetë i pari që do të merr postin e kryeministrit. Sipas të tjerëve, kjo kërkesë është nën hijen e bisedimeve për rritjen e pjesëmarrjes në qeveri të kuadrove të BDI-së, në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve.

Parashikueshmëria, jo zgjedhjet e reja

Askush nga përfaqësuesit e partive nuk hyn zyrtarisht në komente për spekulime të tilla, me shpjegimin se procesi nuk duhet të dëmtohet. Sidoqoftë, ekziston një përshtypje që edhe në qarqet e larta të partive nuk ka shumë njohuri për bisedimet në këtë fazë, duke pasur parasysh që ato po zhvillohen midis një rrethi shumë të ngushtë të zyrtarëve.

Çështja e dështimit të mundshëm në bisedime dhe domosdoshmëria e zgjedhjeve të reja aktualisht është hedhur poshtë nga të gjithë, duke treguar sfidat aktuale të brendshme dhe integruese që kërkojnë që institucionet të funksionojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Udhëheqësi i LSDM-së iu referua të njëjtën gjë edhe dje.

“Pozicioni ynë, dhe qëndrimi i partive të tjera për të cilat ne po flasim, është se tani nuk ka asnjë arsye për të menduar për zgjedhje të parakohshme. Anëtarësimi në NATO është një marrëveshje e bërë, ne kemi një vendim për negociatat. Një konferencë ndërqeveritare është planifikuar që të fillojë hapjen e kapitujve, ne do të duhet të punojmë, për ekonominë, për qytetarët dhe për të gjithë”, tha Zaev.

Ai njoftoi se negociatat do të vazhdojnë në ditët në vijim.

“Unë besoj se nuk do të harxhojmë shumë kohë në shpërndarjen e posteve dhe drejtorive, e dimë përafërsisht kush është i gatshëm të marrë përgjegjësi atje, por e gjithë kjo do të nënkuptojë një krahasim me stafin që do të diskutohet. Ne kemi shumë për të punuar në ditët në vijim. Shpresoj se do të jetë një orë më shpejt ose një ditë më parë,” tha Zaev.

Sipas spekulimeve, se “një orë më shpejt, ose një ditë më parë”, është 13 gusht, kur mund të pritet përfundimi eventual i bisedimeve BDI-LSDM.

Në këtë ditë BDI bëri thirrje për një takim të liderëve të partive nga blloku shqiptar. Zaev më parë e vlerësoi si presion ndaj tij, ndaj LSDM-së dhe koalicionit “Mundemi”.

“Nëse rasti është Marrëveshja e Ohrit, LSDM dhe VMRO-DPMNE duhet të jenë gjithashtu atje,” ka thënë Zaev.

Ahmeti dje tha se takimi nuk ishte i dedikuar për shënimin e ditës së nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, por me qëllim të vazhdimit të komunikimit në një tryezë të përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare./in7.tv/

Të fundit