28/03/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shumica e fekaleve që i krijojmë derdhen në lumenj dhe liqene të pa trajtuara (Infografik)

Edhe pas ndërtimit të disa impianteve të trajtimit të ujërave të zeza në vend, shumica e fekaleve që i krijojmë derdhen në lumenj, liqenet, rezervuarët dhe ujërat nëntokësorë. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se një sasi shqetësuese prej 72.2 % e sasisë totale të ujërave të zeza derdhen në ujërat nëntokësore të pa trajtuara si dhe ato mbitokësore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2018, mbi 80 milion metra kub ujërave të zeza të pa trajtuara janë shkarkuar në lumenjtë, liqenet dhe ujërat nëntokësorë. Sasia e përgjithshme e ujërave të ndotura të gjeneruara në 2018 është 2.6 përqind më e ulët se në vitin 2017. Sasia e përgjithshme e ujërave të ndotura të pa trajtuara në vitin 2018 ka rënë për 10.6% në krahasim me një vit më parë. Në 2018, ka një rritje të ujërave të ndotura të trajtuara, që kanë arritur në 30.783.000 metra kub.

Kjo rritje prej 32.2 % te trajtimi i fekaleve para se të derdhen në lumenj dhe liqene është rezultat i vënies në punë të impianteve të reja për trajtimi të ujërave të zeza në Kërçovë dhe Prilep në vitin 2018, si dhe ai në Strumicë në fund të vitit 2017.

Sasia më e madhe e ujërave të zeza të pa trajtuara derdhet në ujërat e lumenjve tanë. Mbi 46 milionë metra kub fekale janë hedhur në lumenj vetëm në vitin 2018, gjë që kontribuon më shumë në cilësinë e ulët të ujit të lumenjve tanë. Për shkak të kësaj, disa lumenj, si: Vardari, Treska dhe Lepenci në rajonin e Shkupit, janë të ndaluar për not, peshkim për ushqim dhe ujitje të kulturave bujqësore. Gati 34 milionë metra kub ujëra të zeza janë shkarkuar në ujërat nëntokësore, gjë që mund të rrezikojë disa nga burimet e furnizimit me ujë të pijshëm.

Për dallim nga realiteti negativ maqedonas, direktivat e BE tregojnë qartë e theksojnë ndalesën për derdhje të ujërave të zeza në lumenj, liqene dhe ujëra nëntokësore pa u trajtuar më parë në impiantet e trajtimit. Pa ndërtimin e impianteve për trajtim të ujërave të zeza dhe pa trajtimin e duhur të të gjitha fekaleve që lëshohen, vendi ynë nuk do të jetë në gjendje të përmbushë standardet evropiane mjedisore si vend që pretendon të bëhet anëtar i ardhshëm i BE-së.

 

 

 

Të fundit