29/03/2024
18.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sindikatat paralajmërojnë për shkelje të të drejtave të punëtorëve

Nëse në Kuvend kalon ligji me të cilin konzorciumi amerikano- turk Behtel Enka e merr biznesin për ndërtimin e tre autostradave të reja, atëherë nga e hëna deri të shtunën punëtorët duhet të punojnë në terren nga 10 orë në ditë. Në vend të ditës së lirë të dielën e cila garantohet, nëse nuk është përmbushur norma, punëtorët do të vijnë në punë edhe të dielave. Formalisht duhet të merret pëlqim me shkrim nga i punësuari. Sindikatat dyshojnë që ky rregull do të jetë vetëm në letër.

Kjo nuk është e realizueshme dhe është e pamundur. Bëhet fjalë për punëtorë, për materie të gjallë e jo për robotë apo makineri që mund të gërmojnë dhe të punojnë 24 orë gjatë javës. Njerëzit ashtu janë të lodhur nga ndikimet e ndryshme nga jashtë gjatë verës dhe dimrit – deklalroi Ivan Peshevski- sindikata e ndërtimtarisë.

Nga Qeveria shprehen se nuk do të lejojnë të kalojë asgjë në marrëveshje që s’është në pajtim me Ligjin e Marrëdhënieve të Punës. Për momentin nuk do të kërkojnë nga Behtel Enka ta heqin nenin kontestues.

Ligji që është në Kuvend ofron kornizë dhe mundëson që Qeveria të fillojë të bisedojë me realizuesin. Kjo nuk është marrëveshje finale për realizimin e autostradës, nuk i jep kushtet finale. Vetëm e ofron kornizën që më tej qeveria të bëj marrëveshje sa më të mirë të mundshme – deklaroi Fatmir Bytyqi- zv/ kryeministër i ekonomisë.

Sipas memorandumit që e nënshkruan Qeveria dhe Behtel Enka, plani është që përmes një ligji të posaçëm, pa tender ndërkombëtar, biznesi i shtrenjtë drejtpërdrejtë t’i jepet këtij konzorciumi. Ky i fundit duhet të projektojë dhe ndërtojë autostrada në akset Tetovë- Gostivar-Bukojçanë, Trebenishtë- Strugë- Qafë Thanë dhe Prilep- Manastir. Në mënyrë identike, para disa viteve në kohën e qeverisjes së VMRO DPMNE, u zgjodh kompania kineze Sinohidro për ndërtimin e aksit Kërçovë- Ohër dhe Milladinovcë- Shtip, për çka tani po zhvillohet proces gjyqësor.

Ile Petrevski

Të fundit