23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sindroma post-kovid po bëhet gjithnjë e më e zakonshme: Rënie flokësh, rënie e imunitetit, kokëdhimbje

Marramendje, rënie serioze e imunitetit, kolla e vazhdueshme, sinuset e aktivizuara, ankthi, janë vetëm disa nga problemet dhe gjendjet shëndetësore me të cilat përballen një numër i vogël i personave që kanë vuajtur nga kovidi. Tema e sindromës post-kovid është serioze dhe pritet që të bëhen analiza dhe plane se si të trajtohen pacientët që zhvillojnë gjendje të tilla, transmeton Portalb.mk.

Mjeku i përgjithshëm, dr. Bojan Trajkovski, për Meta.mk, konfirmon se shfaqen simptoma të tilla post-kovid, por thekson se ky është një problem për të cilin as mjekët nuk janë mjaft të informuar, andaj për momentin vetëm i regjistrojnë këto gjendje.

“Mendoj se sindroma post-кovid do të jetë problem serioz që duhet të merret parasysh. Për momentin, mjekët amë duhet të monitorojnë pacientët përmes kontrolleve të rregullta. Te të rinjtë shpesh paraqitet rënia e flokëve dhe ankthi. Kurse te pacientët e moshuar më së shpeshti shfaqen probleme neurologjike dhe kardiake”, shton dr.Trajkovski.

Përvoja e tij ka treguar se pacientët e rinj shërohen deri në dy muaj pas kalimit të kovidit, kurse më të moshuarve u duhen gjashtë, por edhe më shumë muaj për t’u shëruar nga sëmundja.

Në ueb-faqen e Organizatës botërore të shëndetësisë ka një njoftim që thotë se shumica e njerëzve që zhvillojnë kovidin shërohen plotësisht, por 10 deri në 20 për qind e njerëzve përjetojnë efekte të ndryshme afatmesme ose afatgjata post-kovid, me simptoma të ndryshme.

Së fundmi edhe doktor Niko Beqarovski nga Klinika e Toksikologjisë në profilin e tij në Facebook shkroi se çdo ditë e më shumë një numër i pacientëve të tillë kërkojnë ndihmë nëpër klinika.

“Rreth 10-20% e pacientëve me kovid-19 zhvillojnë sindromën post-kovid afatmesme ose afatgjatë me simptoma dhe ashpërsi të ndryshme si: frymëmarrje e rënduar, plogështi, përgjumje, dobësim të zemrës, probleme me kujtesën, rënie të flokëve, përkeqësim të diabetit. Pesha dhe gjatësia e kësaj sindrome nuk është gjithmonë proporcionale me peshën me të cilën e keni kaluar kovidin”, shkroi doktor Bekarovski.

Të fundit