29/03/2024
18.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Situata në veri, drejtori Policisë së Kosovës kërkon të raportojë në Komision me dyer të mbyllura

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha gjatë një raportimi në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvend të Kosovës ka thënë se fokus kanë rendin dhe sigurinë në katër komunat veriore të vendit.

Hoxha para deputetëve tha se këtë vit si polici janë përballuar me situata të rënda në fushën e mbajtjes së rendit dhe sigurisë në veri të vendit.

“Fatkeqësisht edhe këtë vit jemi përball me situata të rënda në fushën e mbajtjes të rendit dhe sigurisë publike sidomos në veri të vendit, me aktivitetit të cilat kanë pas për qëllim pengimin në zbatimin e ligjit të barabartë për të gjithë qytetarët. Policia e Kosovës me përkrahjen edhe të institucioneve tjera shtetërore dhe qytetarëve ka arritur të menaxhojë situatën me maturi dhe profesionalizëm”, tha ai, raporton Telegrafi.

Tutje ai u shpreh se gjatë vitit 2022 fokus kanë pasur rendin dhe ligjin në komunat veriore të vendit.

“Kemi pasur bllokim të rrugëve përmes barrikadave, aktivitete penguese përmes zyrtarëve policorë, por edhe aktivitete tjera kriminale. Fal angazhimit tonë është shtuar aktiviteti policorë në parandalimin e krimit, dhe aktiviteteve tjera të jashtëligjshme. Janë mbyllur rrugët ilegale në veri të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitete të kontrabandës kufitare. Në atë zonë ne kemi rritur kapacitetet tona, si në infrastrukturë por edhe në burime njerëzore”, potencoi Hoxha.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës gjithashtu tregoi se numri i vrasjeve në vend është ulur, ndërsa është rritur numri i rasteve të dhunës në familje.

“Gjatë vitit të kaluar falë punës dhe parandalimit të dukurive negative kemi disa rezultate pozitive siç janë ulja e numrit të vrasjeve, veprave penale të grabitjeve, vjedhjeve dhe të tjera, ndërsa është rritur numri i rasteve të dhunës në familje”, theksoi Hoxha.

Ai po ashtu kërkoi që për situatën e sigurisë në veri, raportimi të mbahet me dyer të mbyllura për media.

“Për shkak të ndjeshmërisë në veri të vendit do të preferoja të kalojmë në një seancë të mbyllur”, ka thënë Hoxha.

Të fundit