28/03/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sobotka: Maqedonia e Veriut tashmë është vend evropian, shpresojmë për dritë të gjelbër nga fundi i muajit

Maqedonia e Veriut me sjelljen e vet tashmë paraqet një shtet evropian dhe prandaj shpresojmë se nga fundi i marsit do të marrë dritë të gjelbër për fillim të negociatave nga ana e Këshillit të BE-së.

Këtë e deklaroi sot kryetari i Këshillit nacional austriak, Volfgang Sobotka në konferencën e përbashkët për shtyp me spikerin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Austria çdoherë e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së dhe do të vazhdojë ta ofrojë atë mbështetje të fuqishme të parezervë në kuadër të strukturave të BE-së. Maqedonia e veriut gjatë perudhës së kaluar bëri përparim të dukshëm, posaçërisht në sjelljen e ligjeve të rëndësishme, si Ligjin për prokurorinë publike”, theksoi Sobotka.

Spikeri i Dhomës së Poshtme austriake theksoi se vendi kontribuon për ulje të konflikteve në rajon dhe si përparim të madh në atë kuptim e vlerësoi zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë.

Xhaferi shprehi falënderim për mbështetjen nga Austria në procesin e inkuadrimit të vendit në BE dhe marrjen e datës për fillim të negociatave.

Sobotka dhe Xhaferi bashkarisht konstatuan se një Ballkan stabil, demokratik dhe prosperues është në interes të vetë BE-së, ndërsa perspektiva evropiane e rajonit është forcë kryesore shtytëse e reformave në vendet aspirante për anëtarësim.

Xhaferi e informoi Sobotkën për ngjarjet aktuale në vend, se Kuvendi për momentin është shpërndarë sepse pas vendimit të tetorit të Këshillit të Evropës për mosndarje të datës për negociata, liderët politikë i thirrën qytetarët për zgjedhje të parakohshme parlamentare në mënyrë që të deklarohen për rrugën e mëtutjeshme të vendit.

Kryetari i Kuvendit tha se po bëhen përgatitje që zgjedhjet e 12 prillit të jenë transparente, të drejta dhe demokratike, në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Theksoi se vendi mbetet i fokusuar në qëllimin strategjik – anëtarësimin e barabartë në BE, dhe përkujtoi se në ditët e fundit të kësaj përbërje parlamentare u sollën zgjidhje të rëndësishme ligjore të cilat kontribuuan në raportin pozitiv nga KE-ja dhe rekomandim të ripërtërirë për fillim të negociatave.

“Kuptohet se e kemi të domosdoshme perspektivën e qartë evropiane, kornizën e qartë kohore dhe metodologjinë dhe në atë kuptim është shumë me rëndësi që metodologjia e re iu përgjigj në mënyrë të kënaqshme kërkesave të vendeve – anëtare për një proces më efikas, më dinamik dhe më kredibil në zgjerim”, theksoi Xhaferi.

Sobotka theksoi se në takim me Xhaferin, sot në mëngjes biseduan për bashkëpunimin e mirë bilateral mes dy parlamenteve, me ç’rast shfaqi shpresë se ai do të vazhdojë të zhvillohet edhe me përbërjen e re të Kuvendit. Shtoi se është diskutuar edhe për faktin që Maqedonia e Veriut, së bashku me Bullgarinë e mban kryesimin e Procesit të Berlinit. Theksoi se për herë të parë gjatë Samitit në Poznanj është vendosur që edhe parlamentet të përfshihen në zbatimin e Procesit të Berlinit.

Dy bashkëbiseduesit folën edhe për valën e re të refugjatëve në kufirin greko-turk, me ç’rast Sobotka theksoi se Austria e ka mbështetur përforcimin e kapaciteteve të Fronteksit dhe ndanë një milion euro përmes UNHCR-së për kampet e refugjatëve në Greqi.

Në kuadër të vizitës në vend, Sobotka do të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit afarist: Shtefan Peter nga EVN Maqedoni SHA, Gligor Bishev dhe Alvin Aliçeviq nga Banka Shparkase Maqedoni SHA Shkup.

Sobotka është paraparë të realizojë takime të ndara me kryetarët e LSDM-së, BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Hristian Mickoski. MIA.ab/

https://www.facebook.com/MediumskaInformativnaAgencija/videos/676348343191672/

Të fundit