29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sondazhi i IPP Arbën Xhaferi: BDI e bashkuar e para pa Grupin e Zjarrit me mbështetje të përgjysmuar

Sondazhi i IPP Arbën Xhaferi i realizuar ekskluzivisht me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut tregon për një mbështetje shumë të fortë për Ukrainën dhe perceptim negativ të Rusisë, pikëpamje realiste për anëtarësimin në BE, mbështetje të fortë për ndryshimet kushtetuese dhe statusin bashkëzyrtar të gjuhës shqipe, si dhe për lëvizje serioze në skenën politike

Një sondazh i ri i Institutit për Politika Publike (IPP) Arbën Xhaferi ka matur opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në tema relevante politike.

Ky sondazh unik shikon në mënyrë specifike perceptimet e shqiptarëve për luftën në Ukrainë dhe implikimet e saj mbi aleancat strategjike të Maqedonisë së Veriut, kapacitetin e qeverisë për të arritur progres në anëtarësimin në BE, si dhe mbështetjen për ndryshimet kushtetuese dhe statusin kushtetues të gjuhës shqipe. Përveç kësaj, sondazhi mat qëndrimet e shqiptarëve ndaj liderëve politikë dhe mbështetjen ndaj partive politike, duke përfshirë edhe fraksionet brenda tyre.

Kur bëhet fjalë për opinionin publik për liderët partiakë, Ali Ahmeti (BDI) është më i popullarizuari, me besueshmëri neto prej zero (neutrale) dhe 49.7% të opinioneve pozitive. Arben Taravari (ASh) qëndron afër si i dyti, me besueshmëri neto prej -9.4 dhe 45% të opinioneve pozitive. Pas tensioneve të brendshme në BDI, Izet Mexhiti, lideri i fraksionit brenda BDI-së i njohur si “Grupi i Zjarrit” është lideri i tretë partiak më i popullarizuar me besueshmëri neto prej -28.8% dhe 35.3% të opinioneve pozitive. Bilall Kasami (Lëvizja Besa) renditet i katërti, me besueshmëri neto prej -43% dhe 28.2% të opinioneve pozitive. Lideri partiak me përkrahjen më të vogël popullore është Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej -74.6% dhe vetëm 12.4% të opinioneve pozitive.

30.8% e shqiptarëve kanë thënë se do të votonin për BDI-në nëse zgjedhjet parlamentare do mbaheshin nesër. ASh renditet e dyta me 14.9%, e ndjekur nga Lëvizja Besa me 9.6%. Alternativa do të merrte vetëm 2% të votave, ndërsa PDSH është fare afër zeros (0.3%). Ndër partitë maqedone, 1.6% e shqiptarëve do të votonin për LSDM-në dhe vetëm 0.1% për VMRO-DPMNE-në.

Interesante është se në mesin e atyre që kanë thënë se do të votonin për BDI-në, një e treta prej tyre (31.7%) do të zgjidhnin të votonin për “Grupin e Zjarrit” në rast se ky fraksion do të kandidonte si i pavarur nga BDI-ja. Kjo do të ndikonte seriozisht në skenën politike shqiptare, duke ulur përqindjen e votave të BDI-së në 19.5%, ndërsa “Grupi i Zjarrit” do të renditej si forca e katërt politike me 9.3%.

Metodologjia

Një mostër përfaqësuese në nivel shtetëror prej 1,000 të anketuarve të moshës 18 vjeç e lart u anketua ndërmjet 15 dhe 21 marsit përmes intervistave telefonike. Hulumtimi është kryer duke përdorur metodologjinë e përzgjedhjes rastësore, duke siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, bazuar në karakteristikat demografike si gjinia, mosha, arsimi, si dhe njësia zgjedhore dhe komuna ku ata jetojnë. Margjina e gabimit është 3.1 pikë, me një nivel besimi 95 për qind.

Hulumtimi është realizuar dhe financuar nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi

Të fundit