28/03/2024
14.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sot do të shpallet aktgjykimi për padinë penale të Apasievit kundër gazetarëve për publikimin e përgjigjes me SMS

Gjykata Themelore Penale sot do të vendosë për padinë e kryetarit të partisë politike “E majta” dhe deputet në Parlament, Dimitar Apasiev kundër gazetarëve të ueb portalit “A1on”. Në aspektin formal-ligjor gazetarët janë paditur për “publikim të paautorizuar të të dhënave personale”, sipas nenit 148 të Kodit Penal, ndërsa në fakt bëhet fjalë për publikimin e përgjigjes në një SMS të deputetit, trasnmeton Portalb.mk.

Fillimisht deputeti ka paditur tre gazetarë, redaktorin e “A1on”, Predrag Petroviq, Meri Jordanovska dhe Gabriela Dimkoviq-Mishevska. Ndërsa, pasi Dimkoviq-Mishevska i kërkoi falje Apasievit, ai e tërhoqi padinë kundër saj.

Aktgjykimi do të shpallet sot rreth orës 9:15 në Gjykatën Themelore Penale nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, e cila e udhëheq rastin.

Në nenin 148, sipas të cilit paditen Jordanovska, Petroviq dhe kompania që e publikon ueb portalin A1on, “Online Media”, thuhet: “Ai që, pa lejen e autorit, boton ditar, letër ose procesverbal tjetër personal në rastet kur kërkohet miratimi, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”.

Mirëpo, gazetarja Meri Jordanovska thotë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë procesverbal personal, por për komunikim zyrtar nëpërmjet SMS mesazhit ndërmjet një gazetari dhe një deputeti – lider i një partie politike.

“Në dhjetor të vitit 2020, ish-kolegia Dimkoviq-Mishevska i është drejtuar Apasievit nëpërmjet SMS mesazhit me kërkesë për deklaratë dhe pyetje zyrtare – cili është qëndrimi i partisë “E Majta” në lidhje me paratë që partia ka marrë nga buxheti, gjegjësisht a planifikon partia t’i kthejë ato në buxhet, t’i dhurojë ose t’i mbajë, sepse në atë kohë partia në rrjetet sociale ishte thirrur si parti punëtore që të solidarizohet në kohë pandemie”, thotë Jordanovska, duke shtuar se deputeti iu përgjigj gazetarit që të drejtohet në qendrën për media në partinë “E Majta” “Në departamentin – media proqeveritare”.

Jordanovska thekson se më vonë në korrespondencë gazetarja është përgjigjur se përgjigjet e tilla sarkastike në pyetje profesionale nuk janë në rregull, ndërsa deputeti është përgjigjur: “E kur e pyetni LSDM-në, a i telefononi drejtpërdrejt Zaevit apo në Qendrën për Komunikim? Unë kam qenë gjithmonë korrekt si me sorospitë ashtu edhe me korrierët, por ju duhet të keni një nivel profesionalizmi”.

“Pas kësaj, pasoi një sërë postimesh në Facebook me të cilat Apasiev e ofendonte si gazetaren ashtu edhe mua, për të cilat reaguan të gjitha shoqatat vendore, SHGM, SSNM, Reporterët pa Kufij dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve”, sqaroi Jordanovska.

Ofendimet nga deputeti dhe lideri i partisë “E Majta”, Apasiev, ajo i ka publikuar në portalin “A1on” dhe për ilustrim në tekste e ka publikuar një print screen, gjegjësisht foton e një prej përgjigjeve të tij që ia ka dërguar gazetares.

Në padinë penale që deputeti i partisë “E Majta” e ka ngritur kundër gazetarëve, print screeni i tillë i SMS-së në komunikim mes gazetarit dhe deputetit konsiderohet “shënim personal”.

Gjykimi ka zgjatur gati një vit. Siç thotë Jordanovska, Apasiev nuk është paraqitur në asnjë seancë, ndërsa në fjalën përmbyllëse avokati i tij Spase Nikolov ka theksuar se numri i telefonit të deputetit nuk është zyrtar por privat, gjë që ka qenë arsye që më shumë gazetarë të përgjigjen penalisht.

“Gjatë gjithë gjykimit u përpoqëm të vërtetojmë se komunikimi mes gazetarit dhe kryetarit të një partie, si dhe deputetit është komunikim zyrtar, sidomos kur gazetari prezantohet dhe kërkon deklaratë zyrtare, qoftë me telefon, personalisht ose me SMS”, thekson Jordanovska.

Ajo shton se kur përgjigjet e pyetjeve janë sarkastike dhe fyese, gazetarët si zëri i publikut nuk mund dhe nuk guxojnë t’i heshtin ato.

“Nëse zotëri Apasiev nuk ka dashur ta shqetësojnë në numrin privat, edhe pse ende nuk e dimë nëse ai numër është privat, ai ka mundur të na udhëzojë që të kontaktojmë në numrin zyrtar, në vend që të na ngjisë etiketa të ‘sorospiave’, thotë Jordanovska.

Ajo kujton se zyrtarët publikë e kryejnë detyrën 24/7 dhe janë subjekt i kritikave publike, sepse paguhen nga buxheti i shtetit, gjegjësisht nga paratë e qytetarëve.

“Nëse sërish përballemi me praktikën e vjetër të ndjekjes penale të gazetarëve për shkak se kemi bërë pyetje dhe marrim përgjigje sarkastike dhe ofenduese, qofshin ato përgjigje me SMS, e-mail, personalisht apo nëpërmjet kanaleve tjera të komunikimit, atëherë kthehemi një dekadë prapa në lirinë e fjalës”, është e prerë Jordanovska.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, deputeti shkruante të njëjtën ditë kur u kontaktua nga gazetari i “A1on”:

“Një farë GABI nga portalet proqeveritare MAKFAX / A1on (emri i plote: Gabriela Dimkoviq-Mishevska), mbase me porosi te zv/kryeredaktores, me merr në telefonin privat dhe më shkruan SMS derisa jam duke zhvilluar kolokium…

Ia kthej – drejtohuni me pyetje në Qendrën e Shtypit të “E Majta” (sepse kemi punësuar dikë vetëm për këtë, për komunikime dhe marrëdhënie profesionale me median). Ajo nuk drejtohet, dhe vendos një titull të tillë!? Zemrushe ah bre “gazetarë” proqeveritar.

Më mirë do të ishte t’ju dhuronim paratë, t’ju dërgojmë në një kurs për sorospija për “gazetari të pavarur” dhe “qytetari progresive” – ​që të rregulloheni. Herën tjetër, telefononi në mënyrë të kulturuar në numrin e partisë “E Majta” që është në dispozicion të publikut dhe jini të paktën pak më profesional në marrëdhënie, edhe pse nuk na doni (por as ne nuk ju duam)
# GazetariTifozëshNukËshtëGazetari”

Në të njëjtën ditë, në të njëjtin rrjet social, deputeti kërcënoi publikisht me padi, duke shkruar: “ Çfarë qyqari duhet të jesh që, nga pozita e zëvendës-kryeredaktorit, të detyrosh punonjësin tënd të kryejë vepër penale “publikim të paautorizuar të letrës private” që ta gëlltisë punonjësi, e jo ajo e cila e ka pizmin haptas ndaj “E Majta”? Shihemi në seancë.”

Kanë kaluar gati 9 vite që kur shpifja dhe fyerja, për të cilat gazetarët paditen më së shpeshti, në vend që të përgjigjen sikur për vepër penale, u vendosën në vepra për të cilat ata ndiqen në procedurë civile.

Sipas SHGM, ky rast është precedent në të cilin një përfaqësues i Kuvendit, gjegjësisht deputet dhe kryetar i një partie politike, ndjek penalisht gazetarë.

Të fundit