23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Stagnim i ekonomisë në Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka siguruar mjaftueshëm përkrahje ekonomike, thotë Jovanoviq, ndërsa shton se nëse – dëshirojmë që sivjet të përmirësojmë perfomancat ekonomike, nevojitet që shteti të harxhojë më shumë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 13 korrik – Në shumicën e shteteve të Evropës Lindore po shënohet përmirësim ekonomik pas pandemisë që është edhe më i lartë seç pritej, mirëpo në Maqedoni – nuk po shënohet një avancim i tillë ekonomik. Nga shtetet e Ballkanit, për Maqedoninë e Veriut parashikohet rritje ekonomike prej 4.1 për qind, që është më dobët se parashikimet edhe për Kosovën me 5.3 për qind rritje, për Shqipërinë me 5 për qind, Malin e Zi me 6.5 për qind, Serbi me 6 për qind. Rritje më e dobët ekonomike se Maqedonia parashikohet vetëm për Bosnje e Hercegovinën me 2.9 për qind. Ky është vlerësimi i Institutit Ekonomik të Vjenës që analizon 23 ekonomitë e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Rreziku kryesor për rimëkëmbjen ekonomike është një valë e re e COVID-19. Imuniteti i tufës nuk do të arrihet në shumicën e vendeve të analizuara, pasi vaksinimi nuk po e përmbush këtë mision.

“Sidoqoftë, një valë e re nuk ka gjasa të sjellë të njëjtin dëm ekonomik si valët e mëparshme. Ekonomitë në të gjithë rajonin kanë mësuar të përballen me pandeminë. Kështu, një valë e re COVID-19 do të çojë vetëm në një ngadalësim të rritjes, sesa në një recesion”, vlerëson institutit i Vjenës për Studimeve Ekonomike Ndërkombëtare. Një nga autorët e analizës, eksperti ekonomik Branimir Jovanoviq thotë se Qeveria e Maqedonisë nuk ka siguruar mjaftueshëm përkrahje ekonomike, ndërsa shton se nëse dëshirojmë që sivjet të përmirësojmë perfomancat ekonomike, nevojitet që shteti të harxhojë më shumë dhe të mbështesë më fuqishëm ekonominë.

“Ekonomia e Maqedonisë akoma nuk po tregon shenja të rikuperimit pas pandemisë dhe është një nga tre ekonomitë që nuk po tregojnë përmirësim për shkak të mungesës së përkrahjes së mjaftueshme financiare për bizneset dhe popullatën. Gjithashtu, realizimi i investimeve kapitale në pesë muajt e parë të vitit është vetëm 22 për qind apo afër 80 milionë euro, ndërsa do të duhej që ky realizim të jetë 40 për qind”, vlerëson Jovanoviq. Gjithashtu, edhe me rishikimin e buxhetit që pritet të marrë dritë jeshile nga deputetët – parashikohen investime kapitale prej afër 500 milionë euro apo 420 milionë euro deri në fund të vitit – që është vështirë e realizueshme në mos edhe e pamundur, vlerëson Jovanoviq.

Në ndërkohë, në parashikimin e ri të verës, Instituti austriak pret që 23 ekonomitë e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore të rriten me 4.2 për qind në vitin 2021, një rishikim në rritje prej 0.4 për qind në raport me parashikimin e muajit prillit. “Pavarësisht nga gjendja dëshpëruese shëndetësore, Rajoni i Evropës Juglindore e mbylli vitin 2020 shumë më mirë sesa pritshmëritë e fillimit të pandemisë në pranverën e vitit të shkuar. Rritja në 23 shtetet e analizuara do të drejtohet kryesisht nga konsumi privat. Konsumi do të nxitet nga kursimet e akumuluara nga viti 2020 dhe huadhënia bankare. Investimet e biznesit do të kontribuojnë gjithashtu, me kompanitë që nisin projekte të reja dhe ata që i kishin pezulluar më 2020”, thuhet në raport. Punësimi, vijon më tej raporti, pritet të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa papunësia do të ulet, por faktor vendimtar pritet të jetë mbështetja fiskale e siguruar nga qeveritë.

Inflacioni do të jetë më i lartë se sa pritej më parë, i nxitur kryesisht nga rritja globale e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Inflacioni mesatar në këtë rajon në maj ishte 4.5 për qind, niveli më i lartë nga viti 2015. Por inflacioni i lartë do të detyrojë bankat qendrore të rrisin normat e tyre të interesit në 2021. (koha.mk)

Të fundit