Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot pasdite do të qëndroj për një vizitë dyditore në Shkup, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pasdite nga Beogradi do të udhëtojë për në Shkup, ku do të takohet me shefin e shtetit Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe do të ketë një fjalim para deputetëve në Kuvend.
Të mërkurën në mëngjes, Kovaçevski dhe Stoltenberg kanë planifikuar të takohen në Shkup me liderët e vendeve anëtare të NATO-s nga rajoni: presidentin kroat Zoran Milanoviç dhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, të Sllovenisë, Robert Golob dhe të Malit të Zi, Milojko Spajiq.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se sot dhe nesër për shkak të ardhjes së një numri të madh të delegacioneve të huaja, në zonën e gjerë të qytetit të Shkupit do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit. Për këtë, Sektori për Punë të Brendshme Shkup apelon qytetarët që të respektojnë urdhrat e zyrtarëve policorë në rrugë.(INA)