Parlamenti studentor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” ka kërkuar nga Qeveria të ndërmarrë dy masa për t’u dalë në ndihmë familjeve të cilët kanë studentë dhe studentëve.
Masa e parë parasheh bursë sociale të jashtëzakonshme për familjet që kanë student, kjo në vlerë prej 16 mijë denarë, ndërkaq masa e dytë parasheh furnizim të studentëve me pajisje që të mund të ndjekin mësimin online.
“Kërkojmë bursë sociale të jashtëzakonshme për familje që kanë student e kurse të ardhurat i kanë në 14 mijë denarë. E dimë se studentët kanë nevojë për harxhime më të mëdha dhe këto të ardhura nuk do të përmbushnin nevojat e studentëve. Bursa kërkojmë të jetë në vlerë prej 16 mijë denarë. Kemi ngritur edhe iniciativë për regjistrim të studentëve që nuk kanë pajisje për ndjekjen e mësimit online”, tha pjesëtari i Parlamentit studentor në USHKM, Goran Eftimov gjatë konferencës për media.
Kërkesat sipas tij vijnë për faktin se 70 për qind e studentëve financohen nga familjet e tyre, ndërkaq 30 përqindëshi tjetër jetojnë me vetë-financim, që do të thotë punojnë jashtë procesit studimor për të siguruar të ardhura.
Por, nënkryetari i Parlamentit studentor, Ilija Kolev thotë se masat qeveritare me të cilat janë mbyllur lokalet, ka bërë që studentët të kenë zero denarë të ardhura në muaj, pasi nuk mund të punojnë në vendet nga ku kanë siguruar të ardhura.
“Studentët janë të goditur drejtpërdrejt nga kjo krizë, pasi një pjesë e studentëve kryejnë punë në vende të cilat janë të prekura nga masat qeveritare. Kjo ka bërë që shumë masa qeveritare, të ndikojnë të mbyllin këto dyer prej të cilëve kanë fituar studentët dhe kjo ka bërë që të ardhurat e studentëve të bien në zero”, tha Kolev.INA