07/07/2022
25.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

“S’un rrin me neve” – BDI ‘nervozohet’ me degët ku humbi zgjedhjet, marrin këtë veprim

BDI ka shpallur Konkurs për zgjedhjet e disa këshillave vendor dhe kryetarëve të degëve të partisë.

Ejup Rustemi, nga Këshilli organizativ i zgjedhjeve partiake në BDI, theksoi për Alsat, se për momentin kanë hapur konkurs për zgjedhje të krerëve vetëm në dhjetë degë, kryesisht aty ku BDI humbi zgjedhjet lokale të 17 tetorit, vitin e kaluar.

“Komisioni Zgjedhor i Bashkimi Demokratik për Integrim në mbledhjen e mbajtur më 19 Maj të vitit 2022 në Tetovë, ka shpallur Thirrje Publike për zgjedhje të kandidatëve për anëtar të kryesisë, për kryetar dege dhe kandidatëve për anëtar të kryesisë së këshillit vendor dhe të kandidatëve për kryetar të Këshillit Vendor të BDI-së në degët e Tetovës, Gostivarit, Tearcës, Zhelinës, Bogovinës, Studeniçanit, Vrapçishtit, Bërvenicës, Dollnenit dhe Çashkës”, thonë nga BDI.

Pas shpalljes së Konkursit, kanë filluar edhe publikimet e kandidaturave, kryesisht për degët më të mëdha. Për atë të Tetovës, kandidaturën e bëri publike së pari drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor Faton Ahmeti, ndërsa më pas edhe Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës Valmir Aziri.

“Në afatin e caktuar, deri tek Komisioni Zgjedhor i Partisë do të dorëzoj edhe formalisht kandidaturën time, ndërsa para Jush të dashur bashkë partiakë, në kohën e caktuar për fushatë, do të prezantojë vizionin tim për funksionimin e degës së Tetovës”, ka shkruar Faton Ahmeti.

“Nga konsultimi paraprak me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmetin dhe me kërkesë dhe mbështetje të aktivit politik do të dorëzoj kandidaturën time për Kryetar të degës së Tetovës në ditët në vijim”, ka shkruar Valmir Aziri.

Deri më tani ende nuk dihet nëse për degën e BDI-së në Tetovë do të kandidojë edhe kryetari aktual Florin Besimi, i cili është nën hetim gjyqësor pas zjarrit që ra në Spitalin Modular në Tetovë, pasi atë kohë mbante pozitën e drejtorit të Klinikës.

Kongresi i IV i BDI-së u mbajt më 21 dhjetor të vitit 2019, ku Ali Ahmeti mori edhe një mandat. Në këtë kongres u zgjodhën vetëm disa organe të partisë por jo e gjithë struktura. Andaj festimet e 20 vjetorit të partisë, siç duket, BDI-në do e presin pa sekretar të përgjithshëm dhe pa nënkryetarë./ Alsat.mk

Të fundit