28/03/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Superfuqitë ngurrojnë të vizitojnë Kiev-in, jo Ballkani Perëndimor

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij malazez Dritan Abazoviç u nisën drejt kryeqytetit ukrainas për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky.

Kreu i qeverisë shqiptare dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mbështetën propozimin e Abazoviç-it.

Sipas raportimeve të mediave, kryeqeveritari maqedonas nuk mundi të udhëtojë për shkak të agjendës së paracaktuar.

Pak ditë më parë, Zelensky ftoi kryeministrin malazez Abazoviç në Kiev.

Kryeministri malazez pranoi ftesën e presidentit ukrainas dhe sugjeroi idenë e një vizite të përbashkët në Kiev nga kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht anëtarët e NATO-s, “për të dërguar një mesazh më të fortë mbështetjeje nga Ballkani Perëndimor për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës”.

Në një bisedë me Zelensky-n, Abazoviç shprehu shpresën se Ukraina do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe Mali i Zi, si lider në procesin e negociatave, është i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme eksperte dhe politike.

Me sugjerimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi, qeveria malazeze vendosi gjatë një takimi javën e kaluar që t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë.

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi të premten e 10 qershorit ndihmën financiare prej 1 milion eurosh për qeverinë e Ukrainës.

Ky fond, sipas vendimit, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.

Këtë shumë e bëri zyrtare fillimisht kryeministri shqiptar nga Konferenca e Donatorëve, e cila u zhvillua në Varshavë.

“E di që kjo shumë nuk do të ndryshojë në përfundimin e luftës, pra mënyrën si po zhvillohet lufta, por ne jemi të nderuar që jemi këtu. Jam falënderues për kryeministrin polak, i cili është pjesë e kësaj konference, për të bërë më të mirën për ukrainasit”.

Rama, gjatë fjalës së tij, zbuloi edhe se Shqipëria ka qenë një ndër shtetet e para që ka dhënë kontributin dhe ndihmesën sa u takon Forcave të Armatosura dhe pritjes së refugjatëve ukrainas.

Superfuqitë
Ndryshe nga liderët e Ballkanit Perëndimor të cilët organizuan gjithçka në kohë rekord, udhëheqësit e superfuqive evropiane po ngurrojnë të vizitojnë Kiev-in.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri italian Mario Draghi po planifikojnë prej kohësh një udhëtim drejt kryeqytetit ukrainas.

Por asnjë nga liderët nuk e ka konfirmuar ende se vizita do të realizohet, raportoi gazeta gjermane Bild am Sonntag.

Sipas Bild-it, Paris-i dhe Berlin-i zyrtar kanë negociuar një vizitë të përbashkët në Kiev prej disa kohësh.

Botimi gjerman raporton se ideja e përfshirjes së kreut të qeverisë italiane si palë e tretë ishte ide e Francës.

Në maj u raportua se Zyra e Presidentit është në pritje të vizitës së presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarit Olaf Scholz në Kiev.

Në fillim të qershorit, presidenti francez Emmanuel Macron nuk përjashtoi një udhëtim në Kiev në të ardhmen e afërt.

Nëse kjo ndodh, do të jetë hera e parë që të tre liderët vizitojnë Kiev-in që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Sanksionet shqiptare
Shqipëria iu bashkua menjëherë të gjitha sanksioneve të përgjithshme apo individuale të aleatëve perëndimorë ndaj Federatës Ruse.

Vendi ynë ka mbyllur hapësirën ajrore shqiptare për operatorët rusë.

Shqipëria sakaq nuk do të marrë pjesë në aktivitete sportive, ku bëhet fjalë me përballje ndaj Rusisë.

Në territorin shqiptar është i ndaluar udhëtimi për personat e listuar nga BE-ja, diplomatë e zyrtarë.

Masat do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte ruse.

Sanksionet ekonomike prekën tregun financiar, energjetik, atë të transportit dhe teknologjik.

Në sektorin e energjisë u ndalua shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës.

Në sektorin e transportit u ndalua eksporti, që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës.

Sanksionet malazeze
Mali i Zi, i cili i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, ka sekuestruar pasuritë e 34 qytetarëve rusë.

Kjo, duke përfshirë deputetët e parlamentit rus (Duma – AP) dhe zyrtarin e administratës ruse, Alexei Gromov, të cilin media e ka cituar si “kurator të propagandës së Kremlin-it”.

Një listë e rusëve, pasuritë e të cilëve Mali i Zi ka kapur në territorin e tij u publikua nga e përditshmja malazeze ‘Vijesti’.

Kështu, lista përfshin deputetë të Dumës Shtetërore Ruse nga “Rusia e Bashkuar” (Anna Kuznetsova, Leonid Ivlev, Viktor Kazakov, etj.), Partia Komuniste (Oleg Smolin, Oleg Lebedev, Irina Filatova), Partia Liberal Demokratike (Vasily Vlasov) dhe “Një Rusi e drejtë” (Dmitry Andrei Kuznetsov).

Përveç kësaj, lista përfshin dhe emrin e anëtarit të Këshillit të Sigurimit rus Sergei Ivanov. /Albanianpost.com Nga Klevis Hoxhaj

Të fundit