28/03/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Takimi i dytë i liderëve pa epilog, Zaev për zgjedhje më 21 qershor, Mickoski akoma për shtyrje

Pa marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka përfunduar edhe takimi i dytë i liderëve i mbajtur dje në vilën Vodno në organizim të presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha se zgjedhjet duhet të mbahen në terminin e parë të mundshëm, ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, megjithatë, është për përballje zgjedhore në fund të verës.

Sipas Zaevit, këtë e konfirmon Komisioni për sëmundje ngjitëse, dispozitat kushtetuese bile edhe OSBE/ODIHR. Afati i parë për zgjedhje, pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe në bazë të Dekretit me fuqi ligji, sipas tij është 21 qershori.

LSDM ka shtuar Zaev, fillimisht do ta mendojë nëse pa opozitën do të shkohet në zgjedhje.

“Papërgjegjësi, papjekuri dhe të menduarit vetëm për kolltukun partiak na ka sjell deri te ajo të mos kemi konsensus”, ka thënë Zaev.

Sipas tij, sjellja e liderit të opozitës, Hristijan Mickoski është në dëm të shtetit, duke e akuzuar se ai frikësohet nga qytetarët dhe votimi.

“Duan ta zgjatin krizën shëndetësore dhe ekonomike që të krijojnë krizë të re politike. Ne atë nuk do ta lejojmë”, tha Zaev.

“Konsiderojmë se mund të organizojmë zgjedhje. Qeveria teknike, roli i së cilës është të organizojë zgjedhje paralelisht me masat për mbrojtje të qytetarëve duhet të rifillojë edhe proceset parazgjedhore për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe të lira e demokratike, me mbrojtje të plotë të shëndetit të qytetarëve. Pres të përgatiten edhe gjitha institucionet e angazhuara për zgjedhjet, para së gjithash KSHZ”, tha Zaev.

OSBE/ODIHR, siç tha, është e gatshme përsëri të përqendrohet me aktivitetet në zgjedhje, pasi të konfirmohet data e zgjedhjeve si dhe duke mbajtur llogari për kufizimet rrugore dhe protokollet lidhur me shëndetin.

VMRO-DPMNE-ja opozitare në takimin e liderëve propozoi tre data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare: 23 dhe 30 gusht, si dhe 13 shtator. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski pas takimit tha se këto afate nuk janë fikse, por varen nga situata – më optimalja do të ishte ajo që do të ishte më pak e rrezikshme nga koronavirusi për shëndetin e qytetarëve.

Mickoski shfaqi shpresë se nuk do të ketë, siç theksoi, “veprim të njëanshëm të dhunës nga disa parti në lidhje me përcaktimin e datës së zgjedhjeve”. Ai pret që të arrihet konsensus me të cilën do të konfirmohet që për partitë janë më të rëndësishëm qytetarët, jo interesi politik. Le ta braktisim logjikën politike dhe të bëjmë thirrje për logjikën e qytetarëve, shtetësinë dhe ta ndjekim zhvillimin e pandemisë”, porositi Mickoski.

“Vlerësojmë që në fund të gushtit dhe fillimi të shtatorit virusi do ta ketë intensitetin më të ulët dhe më pas shëndeti i qytetarëve do të rrezikohet më pak. Ne kemi dhënë data të propozuara, por themi që nga ky moment do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe në bazë të saj do të shprehemi”, tha Mickoski, duke shtuar se është shumë e rëndësishme të sigurohet edhe misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR.

Mickoski gjithashtu informoi se në mbledhjen e liderëve kishte shumë dilema juridike që u rishikuan.

VMRO-DPMNE e vendosi në tryezë edhe azhurnimin e listës për votimin në diasporë, duke e marrë parasysh që deri më tani disa prej votuesve kanë mbushur 18 vjeç.

Zgjedhjet janë të rëndësishme, por fillimisht duhet të ketë konsensus për datën dhe para së gjithash të merren parasysh masat institucionet shëndetësore. Megjithatë, shëndeti i qytetarëve është para së gjithash, deklaroi pas takimit të liderëve te presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Është shumë me rëndësi në gjendje të jashtëzakonshme të gjithë të jemi të ndërgjegjshëm dhe të jemi dakord për arritjen e qëllimeve tona. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendi është pa Kuvend, se është me Qeveri teknike, por kjo gjendje është shkaktuar nga pande(MEDIAL) dhe virusit të rrezikshëm”, tha Ahmeti, duke shtuar se në takim janë shqyrtuar dokumentet nga institucionet kompetente për gjendje dhe ka pasur debat nga të gjitha partitë politike.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, madje dolën me qëndrim se duhet të arrihet marrëveshje për zgjedhje me konsensus dhe se janë për mbajtje të tyre më 26 korrik.

“Propozimi jonë për mbajtjen e zgjedhjeve është 26 korriku pasi do të jetë periudhë e fitores mbi virusin korona dhe do të jetë me më pak rrezik për qytetarët, ndërsa do të hapen kufijtë dhe do të ketë mundësi të pranisë së misionit vëzhgues ndërkombëtar në zgjedhje. Njëherësh KSHZ do të ketë mundësi të përgatis listat e qytetarëve që kanë mbushur 18 vjeç që të kenë të drejtën të zgjedhin”, ka thënë Sela.

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se data e zgjedhjeve duhet të përcaktohet pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Në takimin e liderëve nuk është diskutuar për afat të ri të mundshëm, për çka pritet të informohen nga presidenti Pendarovski.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në tetor të vitit të kaluar ishin caktuar për më 12 prill, por u anuluan me Dekret të Qeverisë për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe rrezikut të përhapjes së koronavirusit. fab/

Të fundit