24/04/2024
10.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Takimi i parë trelateral i stërvitjes taktiko-demonstruese „Western Balkans flash“

Njësitet Speciale të Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës sot në kazermën e Shkupit “Gjorçe Petrov” e zbatuan stërvitjen e parë taktiko-demonstruese „Western Balkans flash“.

Qitje taktike, ulje me helikopter dhe hyrje në objekt, pritë me automjet me arrestimin e personave të rrezikshëm ishin tre pikat e demonstruara para ministrave të Punëve të Brendshme të vendit tonë, Oliver Spasovski, të Kosovës, Ekrem Mustafa dhe zëvendësministres së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Rovena Voda.

“Jam krenar që sot kemi mundësi ta promovojmë këtë aktivitet të përbashkët i cili na çon drejt thellimit të bashkëpunimit tonë dhe përmes së cilës do të bartim mesazh të qartë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha ministri Spasovski pas përfundimit të stërvitjes.

Stërvitja e përbashkët demonstruese e njësiteve speciale të policisë të tre vendeve, theksoi Spasovski, është dëshmia më e mirë se vendet e rajonit arrijnë të dërgojnë mesazh të vërtetë për bashkëpunimin e suksesshëm rajonal.

Kjo nismë, siç tha, tregon se së bashku mund ta zhvillojmë rrjetin e bashkëpunimit, të zhvillojmë njohuri, të këmbejmë përvoja, si edhe t’i përforcojmë teknikat dhe aftësitë e fituara dhe zbatimin e tyre praktik për ballafaqim më të lehtë me sfidat më të mëdha nga sfera e sigurisë.

Ai shprehu falënderim për mbështetjen në trajnime dhe mjete teknike nga Programi ICITAP në kuadër të Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Spasovski shprehu bindje se stërvitja ka mundësuar thellimin e njohurive dhe praktikën e tyre permanente në zhvillimin e mëtejmë.

“Si nikoqirë jemi krenarë në këtë segment të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë të përbashkët që është vërtetim plotësues i angazhimeve të Qeverisë për promovimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal përmes ndërtimit të marrëdhënieve miqësore dhe profesionale me vendet e rajonit, si edhe promovimin e metodologjive dhe standardeve për punë policore në pajtim me standardet evropiane”, tha midis tjerash, Spasovki.

Pas përfundimit të stërvitjes trilaterale të pjesëmarrësve të njësiteve speciale policore u janë ndarë certifikata dhe mirënjohje. shk/

Të fundit