28/03/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Takimi i Procesit të Berlinit 2020 në Shkup

Në Shkup po mbahet takimi i ministrave të jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë e Procesit të Berlinit. Në takim morën pjesë edhe ministra të jashtëm nga vende të Bashkimit Evropian. Temë e takimit janë reformat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE si dhe përballja me valën e emigrantëve që kërcënon kufijtë juglindorë të Evropës.

Takimi i Procesit të Berlinit për herë të parë mbahet nën kryesimin e një vendi anëtar si Bullgaria dhe një vendi që synon integrimin në Bashkimin Evropian, siç është Maqedonia e Veriut.

Takimi i është kushtuar bashkëpunimit rajonal dhe perspektivave të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Ministri i jashtëm në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj, Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, ai i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov, i Kosovës Glauk Konjufca, i Malit të Zi Sërxhan Darmanoviç dhe zv.ministri i Bosnjë e Hercegovinës Josip Bërkiç theksuan nevojën për zgjerimin e BE-së dhe ishin të një mendimi se rajoni e ka vendin brenda BE-së dhe kjo e fundit nuk do të duhej të shkurajojë më këtë rajon.

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e shikojnë Procesin e Berlinit dhe nismat e tjera rajonale si zëvendësim të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të disa vendeve anëtare të BE-së. Zyrtarët evropianë dhe krerët e diplomacive ballkanike kanë vënë në dukje se sundimi i ligjit, gjyqësori i pavarur, ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme, lufta kundër krimit të organizuar dhe ekonomia e qëndrueshme do t’i çojë këto vende përpara drejt familjes së madhe evropiane.

Ministrja bullgare e punëve të jashtme Ekaterina Zaharieva u shpreh se metodologjia e re ende e pamiratuar për zgjerimin e BE-së nuk duhet të përdoret si arsyetim për një anulim të ri të vendimit për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Takimi i Procesit të Berlinit ka për qëllim po ashtu shtimin e lidhshmërisë si dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa i paraprin takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian që pritet të mbahet në muajin maj në Zagreb, ku dy vendet ballkanike Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin konfirmimin e rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian për anëtarësim në Union.

Në kuadër të takimit në Shkup janë mbajtur edhe forume me ekspertë e analistë nga rajoni dhe më gjerë mbi çështje si ndryshimi i klimës dhe emigracioni./voa

Të fundit