11/08/2022
22.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Taravari: Mjekësia dhe politika kanë një të përbashkët të rëndësishme, NJERËZIT!

Reduktoi punën si neurolog dhe u përkushtua në punën e tij të re, si kryetar i Komunës së Gostivarit. Është protagonisti jonë i radhës Arben Taravari, i cili rrëfen për Telegrafi Maqedoni përvojën si kryetar komune dhe mjek duke mos lënë anash as rrëfimet nga jeta familjare.

Intervistoi: Valon Osmani

Nga një mjek neurolog kalove në skenën politike, një periudhë si ministër i shëndetësisë, pastaj si kryetar i komunës së Gostivarit. Si do i përshkruaje këto dy përvoja të ndryshme nga njëra tjera?

Po, është interesante se si me një fjali jo dhe aq të gjatë keni përshkruar saktë një pjesë aq dinamike të jetës time sa do duheshin shumë ditë e ndoshta muaj për t’a rrëfyer. Së pari dua të tregoj mbështetur jo vetëm nga bindja ime po edhe nga eksperienca personale se të qenurit mjek dhe politikan në funksion, kanë një gjë të përbashkët shumë të rëndësishme: Njerëzit! Kur vendosa të studioj mjekësi, ishin vite shumë të vështira sidomos për ne shqiptarët. Shteti mbante era nacionalizëm dhe një shqiptar që vendoste të shkollohej në një fakultet të vështirë e që dukej se ishte një privilegj vetëm për maqedonasit, ishte gati një lajthitje. Por unë kisha një armë shumë të fortë me vete. Unë isha rritur në një familje ku dashuria për njeriun ishte normë, shoqëruar kjo edhe me inatin që ishte krejtësisht i justifikuar për një djalosh shqiptar të diskriminuar si gjithë shqiptarët në atë kohë, bënë që të kisha shumë sukses në shkollë. Sot që nga koha e diplomimit kanë kaluar aq vite sa kam filluar të kem vështirësi t’i numëroj, mendoj që në fund mbeti humanizmi tek mua si frymëzim kryesor për punën që bëj. Në klinikën time është folur shqip por padyshim kujdesi ka qenë dhe është i njëjtë për çdo etni, mbiemër apo përkatësi fetare. Sëmundja nuk njeh as racë dhe as fe, ashtu si lufta ndaj saj duhet të bëhet e udhëhequr vetëm nga dashuria dhe respekti për jetën. Situata absurde që na ka ardhur si pasojë e një historie tekanjoze e të padrejtë ka bërë që secili nga ne të ketë përgjegjësi më të mëdha ndoshta se brezat e ardhshëm për të ndryshuar këtë realitet gati letrar që na rrethon. Kur them letrar nënkuptoj vepra të trishta si “Të Mjerët” e Viktor Hygo-s, vetëm se ky roman ishte letërsi që gjithsesi bazohej në Francën e shekullit të 19-të, ndërkohë që tek gjen rrethana të mjera në shumicën e shtëpive të Maqedonisë së shekullit të 21-të! Duke parë se si në spital vinin pacient që rrezikonin jetën sepse nuk kishin pasur dhe para për të paguar barna preventive, duke parë të moshuar se si shkonin në prag të vdekjes jo nga sëmundja dhe mosha por nga brenga apo varfëria, duke nxjerrë një statistikë personale të frikshme aty në klinikë, ku pjesa më e madhe e sëmundjeve nervore ishin shkaktuar nga stresi i rrethanave të jashtme, nga faktorë si varfëria, zhgënjimi apo përbuzja, unë e e kuptova që duhet të merresha me një organizëm që do të shëronte shumë më shumë individë, dhe ky ishte Shteti! Pra sërish në esencë të kalimit tim nga dhoma e mjekut në zyrat e politikës kanë qenë prapë njeriu. Si mjek është e mrekullueshme kur sheh sy nënash mbushur me lot gëzimi për fëmijën e shëruar aq sa është e vështirë deri në dhimbje kur në turnin e natës të urgjencës të qëllojnë raste edhe 20 vjeçarësh të aksidentuar për vdekje apo 5-6 vjeçar në gjendje koma… ndaj kam një respekt të jashtëzakonshëm për kolegët e mi, jo sepse ata shpëtojnë jetë, jo, është detyra e çdo mjeku sipas betimit që ka bërë që t’i shërbejë pa asnjë hezitim njerëzve, por heroike është që të shtypësh dhimbjen para trupit të gjymtuar të një fëmije dhe të qëndrosh i kthjellët ndërkohë kur vdekja është ulur përballë teje dhe të sfidon. Por le të themi që ndoshta ne mjekët mbajmë mend vetëm lumturinë, dhe për këtë shkak e duam edhe aq shumë profesionin tonë. Kurse në politikë vdekja nuk ulet përballë teje duke të sfiduar si në korridoret e një reanimacioni, por ama varfëria epike që gjendet në popull, pamundësia për t’i kënaqur të gjithë, është ndoshta pika më delikate e të qenurit politikan. Gjithsesi kur shikon se kauza jote është e njëjtë me qindra e mijëra njerëz, kur shikon se ata besojnë tek ty dhe të japin besim, kur shikon se je pjesë e atyre që duan ndryshim dhe zemra ju rreh në vendin e duhur, atëherë mendoj se jam me fat që po marr pjesë në orën e ndryshimit historik të shoqërisë në Maqedoni. Si përfundim, të isha ministër shëndetësie megjithëse rezultoi të ishte një histori suksesi pasi ekipi i ministrisë tonë u rendit i pari nga besueshmëria duke mundur edhe kryeministrin në atë kohë por, thirrja e gjakut tim, e lagjeve të qytetit tim të boshatisura çdo ditë e më shumë, nga fëmijët e të mbushura tek-tuk me burra të papunë të kthyer në hije, nevoja e qytetit të Gostivarit për të ndryshuar, privilegji që të isha dhe të jem pjesë e skuadrës “Gostivari i Pari” më bën që të zgjidhja që me përulësi të bëja detyrën e një biri ndaj vendit të tij.

Cilat janë sfidat dhe kënaqësitë që ti ofron puna si kryetar komune?

E përmenda edhe më lartë, edhe ç’është më kryesorja për t’u përmendur është fakti që ne jetojmë në një kohë katrahurash, sidomos në politikë, ku sfidat janë gjithnjë më të madhe se kënaqësitë. Për fat të keq pozicioni i kryetarit të komunës shihet nga disa funksionarë si post partiak, e duke qenë se unë i përkas opozitës, shpesh herë ka pasur tentativa që të penalizohem por duke parë se kam qenë i vendosur që të mbroj, zhvilloj dhe përmirësoj qytetin tim, e kanë kuptuar e janë dorëzuar. Për këtë duhet të falënderoj edhe miqtë ndërkombëtarë të cilët janë të shumtë e pa ndihmën e të cilëve shumë sfida nuk do të ishin realizuar. Unë jam një nga shumë bijtë e Gostivarit, asnjëherë nuk e kam parë veten vetëm në këtë punë, domosdoshmërish puna e ekipit më ka bërë më të fortë, respekti për njerëzit duke mos i parë ata si shqiptar, turq apo maqedonas, por si gostivaras më ka përforcuar edhe më shumë krenarinë që kam lindur e rritur në një qytet si Gostivari, i cili ka shumë për t’ju ofruar, por mbi të gjitha e gjithçka ka njerëz të mrekullueshëm! Nuk ka rëndësi fare vija partiake e tyre, ata janë të gjithë të mrekullueshëm sepse ata e duan qytetin e tyre dhe të gjithë ne në Gostivar respektin dhe bujarinë i kemi kryefjalë të ekzistencës tonë! Kjo është dhe kënaqësia më e madhe e punës time, se marr pjesë në procesin e zhvillimit të qytetit më të dashur në botë për mua dhe për gjithë gostivarasit siç është Gostivari!

Pas gjithë angazhimeve si kryetar, a ka kohë Arbeni për familjen?

Jo sa dua! Për mua atdheu fillon nga familja, aty është abc-ja e personalitetit të një individi, e për mua familja është vendi ku më rrethon lumturia, por si duket një nga sakrificat që kërkon jeta e një politikani të kohës së sotme, është koha e familjes. Djemtë e mi janë pasuria ime më e madhe, çdo orë e humbur me ta është një mundësi më pak për mua, por nga ana tjetër falënderoj bashkëshorten time e cila me talentin suprem të nënës që çdo femër është e bekuar, di të zbehë disi mungesën time. Gjithsesi, gjithçka është e përkohshme pasi ata dinë që unë nuk do të qëndroj përjetësisht në politikë, ndërsa me familjen time dua të kalojë dhëntë Zoti çdo minutë deri në orën time të fundit.

Ju jeni i martuar me zonjën Nora, na tregoni si u njohët?

Nora! Unë dhe ajo nuk jemi njohur në kohërat e internetit. Kemi qenë me fat që ndoshta madje nuk kemi pasur as celular dhe historia jonë është ndërtuar me shikime, buzëqeshje, copëza fjalësh, biseda të ndrojtura, dashuri e respekt që vazhdon edhe sot. Nora është ende e re sado që unë po plakem, dhe kështu do të jetë gjithnjë për mua, vajza e vitit të tretë që më rrëmbeu shikimin menjëherë dhe e bekuara nëna e fëmijëve të mi. Nora është një nga burimet kryesore të forcës time dhe i jam mirënjohës përjetë që më ka dhënë dhe më jep përditë Familje! Telegrafi/

Të fundit