24/04/2024
15.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Të dënuarit për “Lagjen e Trimave” thonë se janë të pafajshëm, kërkojnë shfuqizim të aktgjykimit

Sot në Gjykatën e Lartë në Shkup është mbajtur seancë, në të cilën është diskutuar për ankesën e dorëzuar nga të dënuarit për rastin “Lagjja e Trimave”.

Të dënuarit në këtë rast nëpërmjet avokatëve të tyre kërkuan shfuqizimin e aktgjykimit të shkallës së dytë të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e lëndës nga e para.

Pala mbrojtëse u ankua për shkelje të procedurës, qasja selektive të gjykatës dhe shkelje të Kodit penal gjatë gjithë seancave gjyqësore, ndërsa sipas avokatëve të dënuarit nuk janë organizatorë të ngjarjeve në Kumanovë.

“Është e mjaftueshme që Gjykata Supreme ta ndjekë CD që nga fillimi dhe deri në fund. Ngjarja për fat të mirë është e gjitha e incizuar dhe do të vërtetohet ajo që mbrojtja gjatë gjithë kohës insiston se bëhet fjalë për kurth. Është e qartë se shërbimet e sigurisë kanë mundur ta parandalojnë sepse personat nuk kanë ardhur aty për aty, por kanë qenë këtu 1 javë ose me shumë para ngjarjes fatkeqe”, tha avokati Naser Raufi.

“Presidenti i tanishëm Pendarovski dhe drejtori i Agjencisë për Zbulim, në disa deklarata para mediave kanë thënë se do të sigurojnë dëshmi të reja dhe se ngjarjet në Lagjen e Trimave nuk janë ashtu siç dihen e për këtë kanë dëshmi. Tani dëshmitë nuk janë askund, për atë duhet të hapet lëndë e re se kush janë organizatorët e ngjarjes”, tha avokati Ljupço Veselinovski.

Ndryshe, për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, me burgim të përjetshëm ishin dënuar Andi Krasniqi, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Gjykata Themelore e Shkupit gjithsej kishte shqiptuar 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës./Telegrafi/

Të fundit