29/03/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Të drejtat e ish presidentëve para Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme duhet ta shqyrtojë iniciativën e dorëzuar për Ligjin për të drejtat e presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe familjes së tij pas përfundimit të funksionit.

Iniciativa është ngritur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), i cili kërkon rishikim parlamentar dhe kushtetues të arsyeshmërisë për vendime të caktuara për privilegjet e ish presidentëve.

Komisioni Antikorrupsion në shtator të vitit të kaluar kërkoi nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë që ta shfuqizojë marrëveshjen për marrjen me qira të hapësirave të ish presidentit Gjorge Ivanov dhe t’i ndajë zyra në pronësi shtetërore. Sipas Komisionit, hapësirat e ish presidentit janë zgjedhur në procedurë jotransparente.

“Në një shtet të vogël dhe të varfër si vendi ynë shpenzohen shumë mjete për ish presidentët, ndërsa nuk ka as kufizime se sa vite duhet të mbulohen shpenzimet pas përfundimit të mandatit të tyre, siç është në shumicën e vendeve të rajonit dhe më gjerë. Ata deri sa nuk dorëzojnë as raport se çfarë aktivitete kanë pasur ose kanë”, deklaroi atëherë kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, duke nënvizuar se për dhjetë vjet për shpenzimet e ish presidentëve janë shpenzuar më shumë se një milionë euro.

Sipas Ligjit për të drejtat e presidentit dhe familjes së tij pas skadimit të funksionit, ai ka të drejtë për pension vlera e të cilit është e barabartë me vlerën e pagës të cilën e merr presidenti i shtetit, ka të drejtë për hapësirë të zyrave dhe më së shumti tre bashkëpunëtorë. Ka të drejtë për sigurim personal, si dhe të drejtë të shfrytëzimit të veturës zyrtare dhe shoferit.

Ligji parasheh edhe që të merr pjesë në ceremoni dhe manifestime shtetërore sipas rendit pas presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryetarit të Qeverisë dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Ligjit, paratë sigurohen nga Buxheti. Në rast të vdekjes gjatë mandatit, pensionin të ulur për 30 për qind e shfrytëzojnë partneri i tij martesor dhe fëmijët e tij minorenë deri në përfundim të shkollimit të rregullt, gjegjësisht deri sa të mbushin 26 vjet. Gjithashtu kanë të drejtë për kompensim mujor në të holla i cili është i barabartë me vlerën e pagës të cilën e pranon presidenti dhe këtë të drejtë partneri bashkëshortor e shfrytëzon përgjithmonë.

Prej ish presidentëve, Branko Cërvenkovski ka pension të përjetshëm presidencial dhe kabinet. Familja e presidenti të ndjerë Boris Trajkovski, bashkëshortja e tij Villma dhe fëmijët kanë të drejta të tjera të parapara me Ligjin.

Presidenti aktual Stevo Pendarovski gjatë marrjes së funksionit paralajmëroi se pas largimit nga detyra do të heqë dorë nga privilegjet që ju takojnë me ligj – shfrytëzimin e zyrave ma bashkëpunëtorë dhe pension i përjetshëm presidencial.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, privilegjet e përjetshme një ish president mund t’i humb vetëm nëse shkarkohet me impiçment ose nëse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar gjatë mandatit se presidenti ka paaftësi afariste. MIA.fc/

Të fundit