27/05/2022
17.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Të martën protestohet në Tetovë për shkak të ndërtimit të kazinosë afër çerdhes “Rinia” (VIDEO)

Të martën në Tetovë qytetarët do të protestojnë kundër hapjes së kazinosë së re e cila po ndërtohet shumë afër çerdhes “Rinia”, në vendnodhjen e ish fabrikës së “Teteksit” dhe e njëjta pritet të jetë me përmasa të mëdha. Nga lëvizja Antibixhoz kërkojnë që autoritetet të harmonizojnë qëndrimet dhe të sjellin ligj që do mbrojë qytetarin, shkruan Portalb.mk.

Nëse kjo kazino arrin të përfundohet, fëmijët e çerdhes “Rinia” çdo ditë do të kenë përballë objektin e lojërave të fatit, për të parandaluar këtë qytetarët ditën e martë (22 shkurt) në ora 14 do të protestojnë , duke filluar nga objekti i çerdhes. Kjo protestë përkrahet edhe nga Lëvizja Anti Bixhoz.

“Ne nga Lëvizja Anti Bixhoz ndjehemi të zhgënjyer nga politikanët. Ju këshillojmë juve subjekte politike të kontribuoni me propozime konkrete deri te Komisioni për Financim dhe Buxhet. Institucioni komunë të luftojë në kompetencat e saja. Të bëhemi bashkë në këtë betejë pasi ky nuk është etnik, as sezonal, as regjional aq më pak politik pasi fajtorë do të jeni ju për mos sjellje të ligjit të shumëpritur për lojërat e fatit”, u shprehën nga Lëvizja AntiBixhoz.

Ligji aktual në fuqi parasheh që objektet e lojërave të fatit duhet të jenë 200 metra larg objekteve të karakterit publik.

Ministria e Financave përgatiti ndryshime në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese e cila parasheh që hapësirat ku zhvillohen këto lojëra të fatit të janë gjysmë kilometri larg shkollave dhe universiteteve. Ligji është dorëzuar në Parlament nga Qeveria në qershor të këtij viti, dhe ende është në Parlament. Ndërsa, nuk janë marrë parasysh kërkesat e Lëvizjes Antibixhoz, të cilët kërkuan distancë prej 3 kilometrave larg vendbanimeve, pasi nga kjo ministri cilësojnë se distanca prej 500 metrave është e mjaftueshme dhe do të ndikojë në mbrojtjen e popullatës së re nga veset jo të mira.

Qëndrimin e Ministrisë së Financave, Lëvizja Antibixhoz e konsideron si qesharak dhe joserioz pasi kërkojnë që kërkesat e tyre të miratohen ose të veprojnë si në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë për mbyllje të tërësishme të lojërave të fatit deri në miratimin e një ligji të mirëfilltë që u përgjigjet thirrjeve të kësaj Lëvizjeje.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se për lojërat e fatit do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucional që kanë në nivel komunal, ndërkaq për atë se komuna ka pak kompetenca për këtë çështje ai tha se do kërkojnë që këta të fundit të shtohen.

“Do mundohemi të pengojmë dhe rëndojmë aktivitetin e tyre sepse po ashtu edhe unë vlerësoj që është ves i keq. Në këtë drejtim, minimumi që do të bëj si kryetar komune apo edhe si politikan, si qytetar do të jetë mos të them në ballë të protestës por në mesin e protestave në pengimin e kësaj veprimtarie. Ne do ngremë iniciativa si pushtet lokal në drejtim të rritjes së kompetencave të pushtetit lokal që pastaj të krijojmë edhe politika lokale sa i përket bizneseve të ndryshme”, shtoi Kasami.

Sot në Tetovë ishte edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, i pyetur se a i përkrahë protestat e së martës, ai tha se për herë të parë dëgjon për këtë protestë, ndërkaq për refuzimin e takimit me lëvizjen antibixhoz ai tha se nuk ka marrë ftesë për diçka të tillë, kështu duke shtuar se është i hapur për të diskutuar mbi të.

“Bixhozi është ves dhe normalisht i bej thirrje çdo personi që të heqë qafe një ves te tillë ashtu siç ka dhe lloje te tjera mesazhesh që ndikojnë ne shëndetin mendor dhe fizik të njerëzve. Ne jemi parti konservatore dhe si e tillë i respektojmë ato vlera. Ka edhe politikanë që përdorin një qeverisje të tillë dhe kanë interesa të tjera të forta biznesi në prapavijë”, tha Mickoski.

Rikujtojmë që ishin pikërisht protestat e Lëvizjes Antibixhoz së bashku me qytetarët të cilët ndaluan hapjen e kazinos afër Universitetit të Tetovës.

Të fundit