18/04/2024
7.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Të mërkurën takim kokë më kokë mes Kovaçevskit dhe Mickoskit

Të mërkurën në të njëjtën tryezë do të ulen kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i VMRO-së Hristijan Mickoski. Nga Qeveria njoftuan se takimi do të mbahet në Klubin e deputetëve, ndërsa opozita shtoi se të dy do të takohen kokë më kokë. Kovaçevski paraprakisht e ka thirrur publikisht Mickoskin në takim me ekipin e tij partiak, por nga VMRO njoftuan se do të takohen vetëm dy liderët.

“Ftesa i është dërguar VMRO-DPMNE-së, në të cilën është shumë e qartë se duhet të zgjedhin se në cilin format duan të jetë takimi… a duhet të jetë 1+0, 1+1, 1+2, varësisht nga ajo nëse i besojnë njëri-tjetrit, kështu që ata mund të flasin përballë njëri-tjetrit ose duan të shkojnë vetëm në një takim. E lashë kryesinë e VMRO-së të zgjedhë”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

“Formati i takimit do të jetë kokë më kokë. Kryetari i VMRO-DPMNE Mickoski deri në takim do të zhvillojë konsultime të gjera me Grupin Parlamentar, Koalicionin dhe Komitetin Ekzekutiv. Qëndrimi i partisë është se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese dhe ky Kuvend nuk ka legjitimitet për një hap të tillë”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Të dyja palët kanë pritshmëri të ndryshme nga takimi. Sipas kryeministrit, duhet gjetur një gjuhë e përbashkët sesi duhet të vazhdojë integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. Kovaçevski, siç thotë ai, shpreson se VMRO-DPMNE do ta kapërcejë vetveten dhe do të mbështesë vendimet që do të mundësojnë integrimin evropian. Krahas integrimeve evropiane, tema e dytë e bisedës së paralajmëruar nga kryeministri janë edhe marrëdhëniet me fqinjët. Nga ana tjetër, VMRO-ja njoftoi se presin që Kovaçevski të dalë nga pengmarrja e BDI-së dhe të pranojë të diskutohet për periudhën që do të pasojë pasi ndryshimet kushtetuese të mos kenë shumicën e nevojshme. Ndryshe, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se propozim-iniciativa për ndryshimet kushtetuese, e cila paraprakisht ishte përgatitur nga ekspertët e grupit punues, tashmë është dërguar në Qeveri. Ndërkohë u punua për harmonizimin teknik të tekstit dhe përkthimin në gjuhën shqipe. Seancat e rregullta të qeverisë mbahen çdo të martë dhe të premte, por për momentin nuk bëhet e ditur se kur do të jetë në rend dite nisma. Me miratimin e draft-amendamenteve në seancën e qeverisë pritet të nisë procedura parlamentare. Presidenti Stevo Pendarovski urdhëroi që procedura parlamentare të fillojë sa më shpejt edhe pa 80 votat e siguruara, në mënyrë që siç tha ai, të shihet se kush i mbështet integrimet evropiane. /Alsat/

Të fundit