06/10/2022
15.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Tetovë, bulevardi “Industrial” vazhdon të mbetet pa ndarjen fizike mes dy drejtimeve

Protestat e qytetarëve të Tetovës për rrugën industriale thuaj se janë harruar. Ky aks rrugor vazhdon të mbetet ndër rrugët me më shumë aksidente. Ndërkaq ndarja fizike mes dy drejtimeve e premtuar para më shumë se një viti nuk është bërë ende. Komuna e Tetovës pohon se kanë marrë masa sigurie në këtë trafik ndërsa paralajmërojnë nënkalim për këmbësorët, por për ndarjen fizike nuk kanë përgjigje, shkruan Portalb.mk.

Ka kaluar më shumë se një vit nga protestat e banorëve të lagjes “Industriale” si rezultat i aksidentit tragjik ku humbi jetën një vajzë 6 vjeçare në po këtë rrugë.

Nga Komuna e Tetovës, kur asokohohe kryetare ishte Teuta Arifi i pranuan të gjitha kërkesat e tyre, kështu duke ju premtuar se për një afat të shkurtër do të fillojnë punët, por sot kërkesa më e rëndësishme e protestuesve vazhdon të mbetet e papërmbushur.

Premtimi i parealizuar është ndarja fizike mes dy drejtimeve të qarkullimit, gjë që është çështja më e rëndësishme për sa i takon rrugës “Industriale”.

Ndarja ishte e paraparë që të bëhet në të gjithë rrugën industriale, ndërsa të lihet hapësirë vetëm në vendkalimet për këmbësorë.

Nga udhëheqësia aktuale edhe pse në fund të vitit 2021 thanë se kjo është premtim i ishkryetares, dhe se kryetari aktual shqyrton mundësitë për zgjedhjen e problemit, sot nga Komuna nuk përgjigjen për atë se nëse do të bëhet ose jo kjo ndarje, paralajmërojnë kalim nëntokësor.

“Komuna e Tetovës, siç edhe është zotuar që do të ketë në kosideratë të gjitha kërkesat e qytetarëve, por duke vepruar gjithmonë në përputhje me kompetencat ligjore. Ne si komunë kemi vendosur të gjitha gjërat e nevojshme sa i përket rregullave të komunikacionit rrugor në këtë aks rrugor, ku përfshijnë pengesat vibruese, vendosjen e vendeve për kalimin e këmbësorëve, semaforin i cili është në funksion dhe në përputhje me rregullat e komunikacionit për këtë aks rrugor. Po ashtu janë në shqyrtim edhe masat shtesë, ku është planifikuar hapja e një nënkalimi për këmbësorët”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kjo rrugë vazhdon të mbetet ndër më të rrezikshmet ku aksidentet ndodhin shpesh.

“Prej 1 janarit deri më 31 korrik në rrugën V.S.Bato (Industriale) më Tetovë janë regjistruar 23 aksidente trafiku dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë viktimë”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ndryshe, ndarja fizike është e rëndësishme të bëhet pasi përgjatë kësaj rruge veturat ka raste kur kalojnë nga njëri drejtim në tjetrin pasi hapësira në mes ua mundëson që ta bëjnë të njëjtën. Madje Portalb.mk ka siguruar edhe video për këtë dhe ka qenë dëshmitar në momente kur kjo ka ndodhur.

 

Të fundit