23/05/2022
15.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Thuajse 7 vjet nga vërshimet , kanali i Hasanbegut mbetet i pa-pastruar

Për vite me radhë institucionet qendrore dhe lokale nuk kanë arritur të pastrojnë dhe ndërtojnë shtratin e kanalit në Hasanbeg, shkruan Alsat.

7 vite pas vërshimeve ku humbën jetën 22 persona ai është në gjendje të njëjtë. Përveç mbeturinave, vetëm më pak se gjysmë metri mbi ujin e ndotur ka kabllo përçues të rrymës elektrike. Adem Ismaili, shtëpia e të cilit është vetëm pak metra larg kanalit në fjalë, thotë se asnjëherë nuk do t’i largohet nga mendja tmerri i gushiti të vitit 2016. Ai thotë se për sa kohë kryetarët e komunave nuk bëjnë punën për të cilën edhe i kanë votuar, banorët e asaj zone do të jetojnë me frikë nga përsëritja e vërshimeve të tmerrshme.

“Kërkesa jonë është që ky kanal njëherë e përgjithmonë të marri fund. Premtime edhe unë vet nuk e di se sa kanë dhënë. Jam thinjur, mjekër e flokët e bardha duke e kërkuar këtë. Kanë ardhur ministra, kanë shkuar ministra, ka ardhur Tito, ka shkuar Tito… ky kanal ka mbetur kështu. Kina e bëri për 24 orë spitalin për 5 milion banorë, po për 46 vite nuk kanë mbërri as ta pastrojnë“, tha Adem Ismaili- banorë i Hasanbegut

Fqinji i tij thotë se institucionet duhet të veprojnë para se të ndodhë fatkeqësia sepse pasi humben dhe shkatërrohen shtëpitë nuk vlejnë më as fjalët e as veprat.

“Në këtë shtëpi ka vdekur njeriu ngaqë është mbush shtëpia me ujë. Projekte nuk mundem të të them kinse sa shumë kanë bërë. A, si nuk kemi frikë. Këto na kanë rënë, fati jonë. Ndoshta nesër bëhet, por shpresa ka humbur, sepse po të them, që 60 vjet”, tha Qemal Jahiu- Banor i Hasanbegut.

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stevkovski, thotë se në arkivin e komunës nuk është gjetur asnjë projekt për rregullimin e kanalit në Hasanbeg.

“Në konsultim me persona kompetent, fillojmë me procedurën për bërjen e një projekti për këtë kanal, si dhe kemi realizuar disa takime me ministrinë e Mjedisit Jetësorë ku dakordohemi që në një nga programet e ministrisë për mbështetje të Komunës së Gazi Babës, në një nga projektet të jetë i kyçur edhe kanali në Hasanbeg. Shpresoj që ky problem disa vjeçar më në fund gjatë vitit 2022 do të mund të shoh fillimin e zgjidhjes”, u shpreh Boban Stevkovski- kryetar i Gazi Babës.

Kryetari i Gazi Babës thotë se do të angazhojë persona zyrtarë nga komuna që të monitorojë pastrimin e kanaleve. Përgjegjëse për pastrimin e kanaleve është NP ”Ekonomia e Ujërave”, në xhirollogarinë e të cilës çdo vit komunat depozitojnë një shumë të caktuar.

“Hapin e parë e kemi marrë me kanalin në Haraçinë të cilin jemi duke e pastruar. Ndërsa shpresojmë se për një kohë të shkurtër do të nisim me pastrimin edhe të kanalit të në Hasanbeg. Megjithatë kryetarët e komunave duhet të gjejnë zgjidhje njëherë e përgjithmonë për këtë problem”, njoftojnë nga NP “ Ekonomia E Ujërave”

Më 6 gusht të vitit 2016 në Shkup pati reshje shiu prej rreth 93 litra për metër kub. Nga vërshimet në Hasanbeg, Stajkovc humbën jetën 22 persona dhe u dëmtuan shumë shtëpi.

Të fundit