28/03/2024
14.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Transportuesit privat zgjidhjen e problemit e kërkojnë nga qeveria

Transportuesit privat do të kërkojnë takim me kryeministrin Kovaçevski për zgjidhjen e kërkesave me Qytetin e Shkupit. Ata thonë se injorimi që kryetarja e qytetit po i bën revoltës së tyre është qasje e turpshme.

“Do të kërkojmë ndihmë nga institucioni shumë relevant, Qeveria e Maqedonisë. 02:49 Ata e dinë më mirë, por a do të vijë puna deri në marrjen e kompetencave të kryetares së Qytetit, Danella Arsovska në pjesën e transportit publik a do të formojnë ndonjë komision me qëllim që ky problem të zgjidhet më shpejt. Ata vet do të vendosin, ne themi atë çfarë duam”, deklaroi Qemal Muriq- “Sloboda Prevoz”.

Mëngjesin e sotëm transportuesit privat i tërhoqën autobusët nga kryqëzimi “ Mavrovasja” dhe tek “Kryqi i Kuq”. Siç tha Qemal Muriq, nga “ Sloboda Prevoz”, kjo zhvendosje e autobusëve në bulevardin “Ilinden” nuk tregon tërheqje nga qëllimi i tyre, por thjesht solidarizim me qytetarët që kanë qarkulluar nëpër kaos këto ditë.

“Ashtu siç kalon koha dhe zhvillohen ngjarjet, një prej tyre është konferenca për media e turpshme, nëse mund të quhet konferencë për media e sekretarit të Qytetit, ku ju mediat ishin të pranishme. Ai tha dy fjali dhe asgjë konkrete dhe iku nga pyetjet. Andaj shprehja e revoltës tonë përqendrohet këtu tek drejtuesit e Qytetit të Shkupit”, tha Qemal Muriq- “Sloboda Prevoz”.

Nga Qyteti i Shkupit nuk pati ndonjë reagim për këtë çështje. Megjithatë nuk mungoi komunikata rreth thirrjes publike për angazhimin e transportuesve për linjën 20 dhe 22, thirrje në të cilën nuk mund të konkurrojnë as “ Sloboda Prevoz” dhe as “ Makeekspress”. Paketa e linjave nga ky njoftim jepet për një periudhë dyvjeçare, me mundësi zgjatjeje, por jo më shumë se 5 vjet në total./Alsat.mk  Gazetare: Evi Shkopi

Të fundit