25/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Tubimet në grupe, shkak i rritjes së numrit të të infektuarve në Tetovë

Tubimi i njerëzve në grupe dhe mosrespektimi i masave, edhe në rajonin e Tetovës është shkaku për rritjen drastike të numrit të të sëmurëve me Kovid-19 dhe krijimin e klasterëve të rinj. Kështu e karakterizoi numrin e madh të rasteve të reja, Naim Skenderi, specijalizant i epidemiologjisë pranë Qendrës për shëndet publik në Tetovë.

“Sot kemi 10 raste të reja në Tetovë dhe rrethinë, prej tyre shumica janë njerëz që kanë qenë në kontakt me një person të infektuar, por ka dhe klasterë të rinj, me ç’rast numri i rasteve të reja të të infektuarve do të rritet. Kemi tre klasterë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm është 25. Komuna e Tetovës me fshatrat dhe Bogovina i kanë numrin më të madh të rasteve”, tha Skenderi.

Ai potencoi se njerëzit nuk duhet të relaksohen dhe duhet t’u përmbahen masave, pasi virusi ende është këtu.

“Situata në Tetovë dhe rrethinë në aspektin epidemiologjik nuk është e mirë, për shkak se qytetarët për fat të keq nuk i respektojnë masat, të cilat janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti për shëndet publik. Në periudhën që vijon, apeli ynë do të vazhdojë të jetë siç ka qenë edhe më herët, të mos ketë tubime në grupe, të mos ketë vizita familjare dhe detyrimisht të mbahen maska dhe të respektohet distanca sociale mes njerëzve. Po ashtu, të mos ketë tubime, siç shohim në qytet, të numrit të madh të njerëzve para bankave, postave”, tha Skenderi.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë në rajonin e Tetovës deri tani janë regjistruar 161 persona të sëmurë, prej të cilëve aktivë janë 73, si dhe gjithsej 15 raste të vdekjes.

Të fundit