06/10/2022
15.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

U hap manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”

Sot, në sheshin e Shkupit, aty ku është pllaka përkujtimore e vendlindjes së Nënës Terezë, u hap manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, që sivjet ia fillon si edicion i veçantë i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Ceremonia filloi duke vendosur lule të freskëta mbi pllakën përkujtimore të Nënës Terezë. Me këtë rast lule vendosën delegacioni i Institutit, i përfaqësuar nga drejtori Dr. Skender Asani, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, Universiteti “Nëna Terezë”, i përfaqësuar nga rektori, Akad. Izet Zeqiri, ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja, nga bashkësitë fetare – Kryetari i BFI-së, H. Shaqir ef. Fetahu, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës dhe z. Pepi Levi nga Bashkësia Hebraike e Maqedonisë së Veriut, si dhe drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë, Naser Curri.

Pastaj filloi manifestimi, me ç‘rast fjalën e hapjes e pati drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, i cili me këtë rast tha: “Të merresh me jetën dhe veprën e Nënës Tereze, nuk është një punë thjeshtë rutinore, por është më tepër ballafaqim me të panjohurat që dalin gjatë depërtimit në botën e saj komplekse e shumëdimensionale. Sepse Nënë Tereza nuk ishte vetëm një bëmirëse, siç perceptohet gabimisht në një pjesë të opinionit publik, por ajo parasëgjithash ishte patentuese e një sistemi të veçantë të sjelljes dhe qasjes ndaj çështjeve të mprehta shpirtërore që askush tjetër nuk i trajtonte dhe nuk i njihte më mirë se ajo.”

“Sivjet kur po e organizojmë edicionin e dytë të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, që përkon me 112 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Tereze, kemi arritur të aktivizojmë një gamë të gjerë resursesh intelektuale e institucionale brenda dhe jashtë vendit tonë, sepse konsiderojmë se nuk mjafton të kesh në duar një kauzë të madhe humane e civilizuese siç është Nëna Tereze, por duhet edhe strategji konkrete për ta shndërruar këtë kauzë në një dioptri më të zgjeruar.”, përfundoi ai.

Pas tij të pranishmëve iu drejtua zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili theksoi se: “Nuk është e rëndësishme sa është një popull i madh, por çfarë vlera të mëdha kultivon.”, duke aluduar se Nëna Terezë i takonte një populli të vogël, siç janë shqiptarët, por bëri emrin e madh në botë me veprën e saj.

Në cilësinë e biografit dhe përfaqësuesit të Ipeshkvisë së Kosovës, fjalë rasti pati edhe Don Lush Gjergji, i cili theksoi se: “Nëna Terezë nuk është vetëm e madhe, as nuk është vetëm bamirëse dhe vetëm humane. Ajo është imitimi më i mirë i njerëzores në botë. Prandaj, atë nuk duhet vetëm ta madhërojmë, por duhet edhe ta imitojmë”.

Kreyetari i Shoqatës “Shkupjania Nëna Terezë”, Dimçe Petrushevski, duke e përshëndetur shënimin e 112-vjetorit të lindjes, theksoi se “Ne të gjithë duhet ta ndjekim shembullin e dashurisë që e reflektonte Nëna Terezë”.

Si kryeredaktor i botimit “Drita e Gonxhes”, Emin Azemi, foli jo vetëm për personalitetin e Nënës Terezë, por edhe për edicionin e ri që i dedikohet pikërisht figurës së Nënës Terezë dhe do të jetë një botim i përvitshëm

I fundit foli drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë, Naser Curri, i cili duke përkujtuar një ngjarje të një plaku të vetmuar në Australi, në dhomën e errët të të cilit Nëna Terezë e kishte ndezur një llambë, përcolli porosinë se Drita e Gonxhes nuk shuhet asnjëherë.

Ky manifestim po organizohet me rastin e 112-vjetorit të lindjes dhe 25-vjetorit të vdekjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.

Të fundit