29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

UNESCO u dha edhe dy vite ultimatum Maqedonisë dhe Shqipërisë për Liqenin e Ohrit

Komisioni kombëtar i UNESKO-s i Bosnjës e Hercegovinës u propozoi Qendrës dhe trupave këshillëdhënëse të UNESKO-s që t’u japin Maqedonisë dhe Shqipërisë dy vite shtesë të veprojnë ndaj rekomandimeve të përfshira në Misionet reaktive të Komitetit për trashëgimi botërore të KB-ve, në mënyrë që të evitojnë zhvendosjen e Rajonit të Ohrit në listën e pasurive botërore kulturore dhe natyrore në rrezik.

Në seancën e Komitetit për trashëgimi botërore të Organizatës së KB-ve për arsim, shkencës dhe kulturë në sesionin e 44-të që u mbajt në qytetin kinez Fuxhou, Komisioni kombëtar i UNESKO-s në Bosnjë e Hercegovinë dorëzoi amendament për fshirjen e dispozitave nga projekt-vendimi që paraqisnin zhvendosje të rajonit në listën e pasurive të rrezikuara me rëndësi universale.

Bosnja e Hercegovina propozimin e saj e arsyetoi me nevojën për të inkurajuar Maqedoninë dhe Shqipërinë në përpjekjet për të përmbushur rekomandimet nga raportet paraprake, të mbështeten, e jo dekurajohen aktivitetet që i zbatojnë së bashku për t’u përballur me sfidat.

“Rajoni i Ohrit përfshin territor të madh, që kërkon përpjekje të mëdha për mbrojtjen e tij që është proces i komplikuar. Konsiderojmë se në dy vitet e kaluara është vërejtur përparim në përmbushjen e rekomandimeve, ndërsa është përmirësuar edhe bashkëpunimi i dy shteteve në të gjitha sferat. Do të ishte dekurajuese që në këtë çast të vendoset rajoni në listën e trashëgimive botërore në rrezik, në vend të kësaj u nevojitet ndihmë”, bëri të ditur Komisioni kombëtar për bashkëpunim me UNESKO-n i BeH-së.

Propozimi për ndryshim të amendamenteve të vendimit i BeH-së u mbështet nga Rusia, Hungaria, Arabia Saudite, Kina dhe Guatemala. Për zhvendosjen e Rajonit të Ohrit në listën e pasurive botërore në rrezik u prononcuan komisionet kombëtare të UNESKO-s të Norvegjisë, Bahrejnit, Australisë, të cilat konsiderojnë se kjo në mënyrë plotësuese do t’i motivojë në përpjekjet për zbatimin e masave dhe aktiviteteve të integruara për eliminimin e kërcënimeve të regjistruara.

Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, bëri të ditur se Maqedonia në dy vitet e kaluara ka demonstruar qëndrueshmëri dhe gatishmëri për t’i intensifikuar përpjekjet për përmbushjen e rekomandimeve dhe vërejtjeve të UNESKO-s. Ajo në fjalimin e shkurtër para pjesëmarrësve në takimin kërkoi vazhdimin e afateve në mënyrë që të mundësohet veprim i mëtejshëm dhe përmbushje të obligimeve dhe në të gjitha sferat e mbrojtjes plotësuese të pasurisë botërore kulturore dhe natyrore për gjeneratat.

“Maqedonia mbetet konsekuente në vendosmërinë për ta ruajtur statusin e Rajonit të Ohrit, përmes sigurimit të mbrojtjes përkatëse të tij dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në dy vitet e kaluar i intensifikuam përpjekjet për përmbushjen e rekomandimeve të Komitetit”, tha ajo me këtë rast duke përmendur me këtë rast disa nga aktivitetet e zbatuara si aprovim të Planit për menaxhim të Rajonit të Ohrit, faza e parë e rehabilitimit të Sistemit kolektor për mbrojtjen e liqenit, braktisja e planeve paraprake për binarë hekurudhor drejt Shqipërisë, procesi i mënjanimit të ndërtimeve të paligjshme nga bregu i liqenit, shpallje të Studençishko Bllato park të natyrës.

Trupat eksperte të IUCN (për trashëgimi natyrore) dhe IKOMOS (për trashëgimi kulturore) në vendimet e reviduara bëjnë të ditur se viteve të kaluara janë përmbushur një pjesë e rekomandimeve të përfshira në raportet e misioneve vijuese reaktive, disa prej tyre të zbatuara pjesërisht ose pamjaftueshëm, derisa një numër i madh i tyre nuk janë adresuar fare.

Proceset e degradimit të regjistruara në Rajonin e Ohrit, siç është theksuar, janë pasojë e ndikimit kumulativ të shkaktuar nga aktivitetet joadekuate në terren me mungesë të mbrojtjes përkatëse dhe konservim të së mirës, kështu që në mënyrë që të bëjnë kthesë në proceset degjeneruese do të nevojitet shumë përpjekje dhe kohë. Aktivitetet e drejtpërdrejta të zbatuara në fusha të caktuara janë përshëndetur, por të njëjtat janë vlerësuar si të pamjaftueshme dhe janë përmendur si fillim i procesit shumë më të gjatë të procedurave dhe masave të integruara dhe strategjike që tek tani duhet të përkufizohen.

Brengosjen më të madhe Komiteti e shpreh në raport me vërejtjet nga Misioni i përbashkët i monitorimit nga viti 2020, e që bëjnë të ditur në aktiviteteve e zbatuara në mënyrë të pamjaftueshme për ndërprerjen e erozionit të ngadalshëm, të vazhdueshëm të atributeve që e determinojnë rajonin si Pasuri kulturore dhe natyrore botërore. Më së shumti vërejtje ka në raport me intervenimet para së gjithash në zonat e vjetra të qytetit, por edhe në mjedisin e tyre, të shkaktuar nga konservimi joadekuat, rikonstruksioni dhe zhvillimi. Brengosje të madhe Organizata botërore shprehë në raport me ndërtimin e rrokaqiejve në bregun e liqenit, kontrollin e dobët arkitektonik të ndërtimeve të reja në zonat e qytetit, si dhe shfrytëzim joadekuat dhe te tepruar të bregut të liqenit me infrastrukturë joadekuate turistike.

Në Sesionin në Kinë mes tjerash u përshëndetën aktivitetet që i kanë zbatuar institucionet e Maqedonisë në drejtim të fillimit të proceseve për përmbushjen e rekomandimeve të Komitetit, veçanërisht krijimin e strukturave institucionale të menaxhimit, më pas përshëndetet ndalesa e përkohshme e lëshimit të lejeve ndërtimore në anën maqedonase, procesi i rrënimit dhe largimit të objekteve të paligjshme të bregdetit, si dhe formimin e Komitetit ndërkufitar për menaxhimin e rajonit.

Si procese pozitive janë përshëndetur edhe procesi i shpalljes së Liqenit të Ohrit për Monument të natyrës, Studimi për revalorizim të rajonit, procesi i shpalljes së Studençishko bllato për park të natyrës, me vërejtjen për nevojën e zbatimit të tyre të përpiktë në proceset zhvillimore në të ardhmen, me kujdes përkatës në menaxhimin e të mirave.

Brengosje shprehet edhe në raport me prioritetet e përcaktuara në mënyrë të pamjaftueshme në politikat zhvillimore, qëndrime kundërshtuese, përfshirje të pamjaftueshme të sektorit qytetar në miratimin e vendimeve dhe masave, që gjithë kjo në kombinim rezulton me sistem të fragmentuar dhe joadekuat të menaxhimit të trashëgimisë botërore.

Në vendimet nxiten dy shtete që të përpilojnë plan të detajuar strategjik për ripërtëritje, me plan përkatës veprimi që do të realizohej në etapa, por sipas qëllimeve afatshkurtra dhe afatgjata të përkufizuara dhe përcaktuara qartë për zbutjen e kërcënimeve ekzistuese. Njëherësh insistohet që plani të jetë i bazuar në rekomandimet e Misionit monitorues nga viti 2020, me kornizë gjithëpërfshirëse ndërkufitare politike dhe institucionale për zgjidhjen e kërcënimeve dhe sfidave serioze dhe shumështresore me të cilat përballet Rajoni i Ohrit. Plani me masat e zbatuara ndërkohë do të dorëzohet në Qendrën për trashëgimi botërore deri më 1 shkurt të vitit të radhës.

Njëherësh kërkohet nga Maqedonia dhe Shqipëria deri më 1 shkurt të vitit 2023 para Qendrës për trashëgimi botërore të dorëzojnë raport të përbashkët të azhurnuar për gjendjen e rajonit, duke përfshirë edhe raportin për përparimin e arritur në zbatimin e vërejtjeve të lartpërmendura, prej të cilave do të kishin rezultuar aktivitetet e mëtejshme dhe zhvendosja eventuale e rajonit në Listën e trashëgimeve botërore në rrezik.

Bosnja e Hercegovina dhe Norvegjia janë të obliguara të formojnë grup të përbashkët që do ta ndjekë procesin e përmbushjes së rekomandimeve dhe për këtë t’i informojë Sekretariatin dhe Komitetin e trashëgimisë botërore.

Liqeni i Ohrit e mori statusin e Pasurisë botërore natyrore të mbrojtur nga UNESKO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit është shtuar në listën e vlerave të mbrojtura kulturore-historike, kështu që Rajoni i Ohrit u bë një prej vetëm 38 zonave të përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe mbrojtura nga UNESKO. Në vitin 2009 është ngritur iniciativë për shënimin edhe të anës shqiptare të liqenit dhe bregut nën kapelën e UNESKO-s, kështu që dhjetë vite më vonë në vitin 2019 rajoni u zgjerua në të dyja anët e liqenit duke përfshirë sipërfaqe të përgjithshme prej 94,7 hektarëve.

Të fundit