29/03/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

UT-ja mbajti Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve

Në Universitetin e Tetovës, gjatë këtyre tre ditëve po zhvillon punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Kjo ngjarje përfshin në vete organizimin e disa konferencave shkencore ndërkombëtare të cilat i organizojnë fakultetet e Universitetit të Tetovës, me qëllim të shpërndarjes dhe afirmimit të rezultateve kërkimore, shkëmbimit të përvojave dhe identifikimit të çështjeve kryesore, sfidave dhe pengesave, nga fushat përkatëse shkencore. Mes organizimeve të konferencave të këtij niveli krijohet mundësia për promovim dhe forcimin e bashkëpunimit mes Universiteteve dhe studiuesve nga vende të ndryshme në shkëmbim të përvojave dhe ideve nga fusha të ndryshme kërkimore dhe shkencore.

Në Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve morën pjesë 485 hulumtues shkencorë nga 25 njësi akademike, ndërsa mes tyre të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues nga servisi i tretë programor i Radio Shkupit në gjuhën shqipe.

Në temën “Kujdesi ndaj gjuhës shqipe në Programin e Radio Shkupit në gjuhën shqipe”, foli redaktorja përgjegjëse e servisit të tretë programor, Valbona Zunçe Pajaziti e cila theksin e vuri pikërisht tek përpjekjet që gazetarët e Radio Shkupit kanë bërë për kujdesin e gjuhës shqipe në Radio që nga themelimi i këtij mediumi edhe pse pati një periudhë të errët ku nga sistemi i atëhershëm ju imponuan toponimet.

“Programi shqip i Radio Shkupit, gjuhën standarde letrare e nisi ta zbatojë dy vjet para mbajtjes së Kongresit të drejtshkrimit. Kontributi i Radio Shkupit për kultivimin e gjuhës shqipe përmes zbatimit të normës letrare ka qenë mjaft i rëndësishëm së bashku edhe me gazetën ‘Flaka e Vëllazërimit’ dhe revistat për nxënës ‘Gëzimi’ e ‘Fatosi’. Qëndrimi i intelektualëve të atëhershëm ka qenë i qartë dhe i paluhatshëm ndaj gjuhës së njësuar shqipe me çka u kuptua edhe si një detyrë dhe obligim patriotik”, tha Zunçe.

Më tej ajo përmendi hulumtimet dhe bisedat që i ka zhvilluar me kuadrot e para dhe kolegët e vjetër që kanë qenë pjesë e Radios tek lektorët që kanë qenë shtylla kryesore e ruajtjes së gjuhës.

“Lektori ka qenë shtylla kryesore e veprimit dhe mbante ngarkesën kryesore për korrigjimin e gabimeve të gazetarëve nga aspekti gjuhësor. Disa kolegë gjatë bisedës në këtë temë thonë se ka pasur edhe gazetarë të papërgatitur jo mirë, sepse kanë kryer ndonjë shkollim në gjuhën maqedonase dhe si të punësuar të Programit shqip kana çaluar shumë nga aspekti gjuhësor e ku më për normën letrare, por me ndihmën e lektorëve, janë angazhuar që t’i përshtaten atmosferës së krijuar për pastërtinë e gjuhës shqipe. Kolegët më kanë treguar se personaliteti numër një dhe përgjegjës kryesor për gjuhën ka qenë lektori dhe përkthyesi Vahit Emini, i cili edhe pse ishte vetëm me shkollën e lartë pedagogjike të gjuhës ishte një shtyllë e fortë që mbante mbi supe pastërtinë e gjuhës shqipe. Përveç tij në kujdesin e gjuhës shqipe janë përfshirë edhe disa lektorë të tjerë si: Xhemaludin Idrizi, Nijazi Muhamedi, Shaban Sejdiu , Refail Sulejmani e të tjerë. Bëhej një punë e madhe që asnjë fjali të mos shkonte e paqartë dhe gjuhësore. Gjuhës me emisione të veçanta kujdes të veçantë i kanë kushtuar edhe gazetarët Liri Lena, Abdylmehmet Ibrahimi etj”, nënvizoi redaktorja përgjegjëse e Radio Shkupit, Valbona Zunçe Pajaziti.

Me kumtesë u paraqit edhe redaktorja e kulturës, Arlinda Kalisi e cila foli në temën “Roli i kulturës ndër vite në Radio Shkup”.

Ajo tha se Radio Shkupi, si një ndër mediumet më të vjetra në këto anë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe kultivimit të kulturës, traditës dhe gjuhës në të gjitha drejtimet edhe përkundër peripecive të shumta të atyre periudhave të vështira.

“Radio Shkupi, gjithmonë kujdes ka treguar edhe për kulturën dhe edukimin e brezave të rinj, nëpërmjet emisionit ‘Lule më lule’ i cili fillimisht është udhëhequr nga kolegu Gani Kollalli, Liri Lena, Kujtime Kica, pastaj Mustafa Spahiu etj. Ky emision i udhëhequr nga kolegët e atëhershëm është realizuar në mënyrë të shkëlqyer me shumë dashuri, përkushtim dhe profesionalizëm. Emision me një fizionomi të një mozaiku pranvere, ku fëmijët nga gjithë shkollat e vendit (fshatra, qytete), lidheshin drejtpërdrejtë për dy orë me tregime, tema, vjersha të bukura dhe të ngjashme”, tha Kalisi.

Radio Shkupi program në gjuhën shqipe gjithmonë në mënyrë serioze dhe dinjitoze përpiqet që të bëjë ruajtjen e gjuhës së pastër shqipe si dhe prezantimin e kulturës shqiptare. Këto punime, siç theksuan dy pjesëmarrëset në këtë aktivitet, “presim që të nxisin kureshtjen që në të ardhmen të hulumtohet më shumë rreth Radio Shkupit, programi në gjuhën shqipe si medium që ka luajtur rolin e vet në disa aspekte si: në informimin e popullsisë shqiptare, në edukimin e saj përmes emisioneve të shumta, por edhe nëpërmjet programeve të hapura të paradites dhe muzikore etj”.

“Radio Shkupi, program në gjuhën shqipe prej Nëntorit të këtij viti është në mbështetje të festave kombëtare: 50 vjet Kongresi Drejtshkrimit; 50 vjet Katedra e Gjuhës Shqipe në Shkup; 114 vjet Kongresi Manastirit; 110 vjet Dita e Flamurit por edhe të ruajtjes së gjuhës shqipe në këto kohëra të nevojshme si përfaqësuese e popullit shqiptar në këto anë, ku ka filluar edhe projektin kombëtar ‘Gjuha jonë’, ku bashkë me profesorët e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Shkup bëjnë përpjekje që gjuhës sonë të bukur shqipe t’i ruhet dinjiteti dhe t’i çmohet vlera si dhe rubrikën ‘Personalitete dhe ngjarje’, ku flitet për punën dhe kontributin e atdhetarëve shqiptarë ndër vite”, u tha në Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve në UT.

Të fundit