Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, dje mori pjesë dhe mbajti fjalim në Manifestimin Ndërkombëtar Kulturor dhe Sportiv në mundjen tradicionale (pehlivanëve) që dje ishte mbajtur në Qendrën Rekreative Sportive në Studeniçan, njofton Koha.mk
Para të pranishmëve, ministri Ismaili theksoi se Ministria e Kulturës e jep mbështetjen për ta shpallur këtë etno-sport të mirë kulturore të Republikës së Maqedonisë me çka kjo ngjarje autentike me të gjitha specifikat e saj do të mbrohet si trashëgimi kulturore.
“Kjo e përbrendëson një traditë shekullore shqiptare, që nënkupton respektim të fuqisë, respektim të kundërshtarit, respektim të rregullave, respektim të publikut dhe festë dinjitoze. Kur kësaj ia shtojmë edhe ritet para ndeshjes së pehlivanëve, kjo traditë merr përmasa që janë të admirueshme për secilin komb”, tha Ismaili.
Ai shtoi se edhe në të ardhmen duhet të vazhdohet me kujdesin për të ruajtur dhe për të kultivuar traditën si pasurinë e cila është mjaft e rëndësishme për brezat që vijnë.
Ndryshe në kuadër të manifestimit përveç nga vendi marrin pjesë edhe mundësit nga vendet e Ballkanit, Turqia, Greqia, Bullgaria, Kosova dhe Shqipëria, të cilët garojnë në pesë kategori. Në kuadër të manifestimit u paraqitën edhe anëtarët e Shoqatës Kulturore Artistike “Emin Duraku” të cilët i prezantuan vallet dhe këngët tradicionale, ndërsa nuk mungoi as ngjarja e ushqimeve të vjetra tradicionale që janë karakteristike për rajonin e Karshiakës.
Për traditën shekullore të mundësve si një sport tradicional dhe aftësi në Komunën e Studeniçanit, si një lloj artefakti kulturor, Instituti i Folklorit “Marko Cepenkov” përpiloi një elaborat me qëllim të shpalljes së këtij etno-sporti të mirë kulturore të Republikës së Maqedonisë me çka kjo ngjarje autentike me të gjitha specifikat e saj do të mbrohet si një trashëgimi kulturore.
Ngjarja e organizuar nga Shoqata për Arsim, Kulturë, Sport dhe Ekologji (AKSI) dhe Federata e Mundësve të Maqedonisë, viti i nëntë me radhë që realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. (koha.mk)