18/04/2024
6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vendimi për çmimet vetëm në markete, në tregjet e gjelbra sipas dëshirës

Fruta-Perimet vazhdojnë të shiten me çmime shumë më të larta se vendimi i qeverisë i cili nga sot hyri në fuqi me korrigjime për 30 për qind të larta vendimi i parë. Domate sot janë shitur me çmim prej 150 denarë edhe pse me vendimin e ri nuk duhet të jetë më të lartë se 95 denarë. E njëjta situatë është edhe me specat jeshilë, të cilët shiten me 200 denarë për kilogram në vend të 100 denarëve, trangujt shiten për 120 denarë në vend të 95 kurse fasulja me 160 për kilogram në vend të 95 deanarëve.

Nga 10 kulturat bujqësore me çmime të korrigjuara, që ditën e parë të vendimit që hyri në fuqi zbatohen vetëm për frutat me rritje prej 5 denarësh. Tregtarët thonë se çmimet varen nga kostot e blerjes me shumicë, që sipas tyre ende importohen shtrenjtë.

“Shumë vështirë, tani po i tregoja fqinjit që era mi prishi tri serra, ja ku shkoi fitimi ynë! Kemi shpenzime, tani plehu artificial shumë shtrenjtë, asgjë nuk mund të blejmë për ti hedhur në kultivim. Domatet tani i mbjellim në sera, ata tregtarë që i shesin njësoj i bëjnë shtrenjtë dhe mora diçka të fitojnë për vete.”

“Çmimet janë të mira, aq sa vlejnë fruta-perimet e stinës. Nuk është patjetër të hani tranguj, dihet kur ajo e ka kohen të kultivohet në vend. Tani është koha marrullave, lakrave. Speci, domatja dikur më vonë.”

Gjatë këtij muaji kur kërkesa e blerjes është e rritur për shkak të festave fetare, për një familje 4 anëtarëshe nëse blihen fruta-perimet elementare me çmimet e tregut real, do të shpenzohen rreth 1,500 denarë në javë. Sipas Lidhjes së Sindikatave, shporta konsumatorë arrin në 100€ në muaj vetëm për artikujt sezonal. Qytetarët vazhdojnë të ankohen për shtrenjtim të gjitha gjërave, kërkojnë stimulim të prodhimit vendor.

“Sipas standardit janë të larta çmimet, por patjetër të blejmë! Kur të rriten çmimet është e kotë ngrirja e tyre. Le të investojnë në bujqësi të ketë më tepër prodhimtari kështu nuk bëjmë asgjë. Tregtia na përpiu.”

“160 denarë kilogrami i fasules! Me fasulen mund të themi OK por me të tjerat asgjë nuk është në rregull. Krahasuar me pagat, çmimet janë astronomike. Por, nga lëkura nuk mund të dalim!”

Të larta mbeten edhe çmimet e fruta-perimeve që nuk janë të përfshira në masën e ngrirjes së qeverisë. Domatet rozë kushtojnë 200 denarë, kurse specat djegës 300 denarë. Patatet e reja 80 denarë për kilogram, që janë dy herë më të shtrenjta se të vjetrat. Çmimet e ngrira të rishikuara do të vlejnë deri në fund të muajit, kohë në të cilën pritet të arrijë një sasi më e madhe e prodhimit vendas nga serrat.

Nga Qeveria thonë se këto korrigjime u bënë pas konsultimeve me importuesit e fruta-perimeve dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë, të cilat kanë rishikuar çmimet e faturave të dhëna nga Drejtoria e Doganave. Çmimet e korrigjuara respektohen vetëm në marketet ku japin kuponët fiskal. /Alsat.mk

Të fundit