23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vetëm 5% e personave që paraburgosen shfrytëzojnë të drejtën për avokatë

Përpos kushteve jashtëzakonisht të vështira në disa burgje dhe trajtimit jo adekuat të të burgosurve, një numër i vogël i personave që ndalohen apo privohen nga lira shfrytëzojnë të drejtën për avokatë. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, vetëm 5% e personave të cilët paraburgosen apo privohen nga liria në fazën e parë nëpër stacione të policisë apo në vende të tjera të privimit dhe mbajtjes, shfrytëzojnë avokatë, ndërsa numri i personave që ndalohen në polici dhe që shfrytëzojnë avokatë është deri në 15%.

“Bashkëpunimi me Dhomën e Avokatëve do të shkojë në funksion të rritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe vetëdijes së institucioneve të tjera për të drejtën e qytetarëve për mbrojtje nga avokati dhe kjo përqindje të cilën e ceka pak më parë të rritet dhe në këtë mënyrë drejtpërdrejt të ndikohet në mbrojtjen e qytetarëve nga tortura dhe keqpërdorimeve dhe udhëheqjen e procedurave të bazuara në ligj dhe pa keqpërdorime”, deklaroi Avokati i Popullit Naser Ziberi.

Sipas kryetarit të Odës së Avokatëve, Lubomir Mihajllovski ekzistojnë dy arsye përse është kaq e ulët përqindja e qytetarëve që angazhojnë avokatë, e para është mungesa e informacionit për të drejtat që qytetarët i gëzojnë në momentin kur privohen nga liria, ndërsa çështja e dytë janë mjetet financiare, në mungesë të të cilave siç theksoi ai, duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Çështja financiare, flas për rastet kur palët nuk kanë angazhuar avokatë, pra shteti duhet të sigurojë mjete që ata persona të marrin mbrojtje, ndërsa ato shpenzime do të mbulohen nga buxheti. Ka shumë qytetarë që nuk kanë mjete financiare që të mbulojnë këto shpenzime, deklaroi Lubomir Mihajllovski nga Oda e Avokatëve

Avokati i Popullit dhe Oda e Avokatëve sot nënshkruan një memorandum bashkëpunimi si shenjë e parë për fillimin e bashkëpunimit të aktiviteteve në funksion të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut dhe përmirësimit të gjendjes së lartpërmendur.

Të fundit