23/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vijon afati për paraqitjen e propozimit për qeveri të re, nuk ka paralajmërim për seancë parlamentare

Afati i fundit për paraqitjen e propozimit për përbërjen e qeverisë së re, po mbaron. Në ueb faqen e Kuvendit për sot nuk është caktuar seancë. Afati përfundimtar është më 2 shtator.

Të shtunën, BDI-ja propozoi Jeton Shaqirin për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ndërsa më parë lideri i partisë Ali Ahmeti njoftoi emrat e ministrave të tjerë. Sipas njoftimit, Artan Grubi do të jetë propozimi për zëvendëskryeministër dhe ministër i Sistemit Politik, Fatmir Besimi ministër i Financave, Bujar Osmani ministër i Punëve të Jashtme, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë dhe Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor.

Nga radhët e LSDM-së në qeverinë e re duhet të hyjnë Oliver Spasovski si ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska të vazhdojë të udhëheq ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa propozim i mandatarit është që në krye të Ministrisë së Drejtësisë të jetë Bojan Mariçiq. Ministria e Transportit do të drejtohet nga kryetari aktual i Shtipit, Blagoj Boçvarski derisa ministria e Punës dhe Politikës Sociale nga Jagoda Shahpaska. Ministria e Kulturës do të drejtohet në Irena Stefanova, ndërkaq ministri aktual i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov do të jetë zëvendëskryeministër përgjegjës për Çështje Evropiane, derisa zëvendëskryeministrja Milla Carovska do të kryesojë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Fatmir Bytyqi do të propozohet zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, ndërsa Ljupço Nikollovski zëvendëskryeministër për Luftë kundër korrupsionit.

Qeveria e re duhet të jetë më e vogël, pra në vend të 26 deri tani, do të ketë 19 ministra ose shtatë më pak.

Mandatari Zoran Zaev pret punë, ndershmëri dhe përgjegjësi nga ekipi i qeverisë, ndërsa dje partia e tij njoftoi nëpërmjet kumtesës se qeveria e re në katër vitet e ardhshme do të punojë e përkushtuar për zbatimin e programeve të planifikuara, veçanërisht rritjen dhe zhvillimin ekonomik.

“Ekonomia e re e zhvillimit është në vendin e parë në rendin e ditës së qeverisë së re e cila do të sigurojë përforcimin e standardit të të gjithë qytetarëve. Në katër vitet e ardhshme, rritja e pagave, investimet në vende të reja pune, mbështetja e vazhdueshme për sektorin privat vendas dhe tërheqja e investimeve të huaja do të vazhdojë. Qeveria e re vazhdon të investojë te të rinjtë dhe në zhvillimin e ekuilibruar rajonal e përkushtuar për t’u kujdesur për të gjithë qytetarët, veçanërisht më të varfrit. Anëtarësimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian sjellin stabilitet dhe nxitje për rritje intensive ekonomike të vendit”, thekson LSDM-ja në kumtesë.

Propozimet për ministrat e rinj u njoftuan të mërkurën pasi koalicioni mes LSDM-së dhe BDI-së u zyrtarizua, ndërsa kaluan edhe filtrat e organeve më të larta të të dy partive.

Ndryshime në përbërjen parlamentare

Ndërsa presin qeverinë e re, tashmë janë paralajmëruar ndryshimet në përbërjen parlamentare. Deputeti i sapozgjedhur Florin Besimi, vëllai i Fatmir Besimit (ky i fundit është propozuar për ministër të Financave) dha dorëheqje nga mandati parlamentar për të shmangur konflikt të mundshëm interesi me votën e tij në Kuvend.

“Kam marrë këtë vendim në ditën kur u njoftuan emrat e kandidatëve për ministra të qeverisë së re të cilët dolën nga vota dhe vullneti i lirë i qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 15 korrik. Ky vendim i im është pas konsultimeve paraprake dhe koordinimit të plotë me kryetarin Ali Ahmeti. Ky vendim do të zbatohet sipas ligjit dhe procedurave normative të Kuvendit”, shkroi Besimi. bs/fab

Të fundit