23/04/2024
7.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vishka: Teatri i Gostivarit do të jetë tempull i qytetarisë dhe intelektualizmit

Gostivari u bë me teatër dhe mori mbështetje të plotë të shtetit. Për një vit u bë me dy drejtorë, por ska asnjë premierë. Punësimet dhe fillimi formal me punë ranë nën labirintet e burokracisë, por kundërmuan edhe erëzat e kuzhinave partiake. Ushtruesi i ri i detyrës drejtor paralajmëron shfaqje dhe formimin e ansamblit.

Me këtë rast realizuam një bisedë me Visar Vishkën. Ai tani është ushtrues i detyrës drejtor, ndërsa opinioni e njeh si aktor me role në më shumë projekte filmike ballkanike, evropiane dhe amerikane. Deri para ca kohësh ishte i punësuar në Teatrin Popullor të Maqedonisë së Veriut ndërsa ishte edhe këshilltar i ish-ministrit të Kulturës, Asaf Ademi. Me origjinë është nga Gostivari dhe shquhet si njohës i mirë i jetës artistike në qytetin e lindjes dhe jo vetëm.

Themelimi i Teatrit të Gostivarit është përmbushje e nevojës së kamotshme për artin teatral. Gostivari në të kaluarën ishte i njohur për qasjen amatore dhe kështu deri më tani kultivohej arti teatral. Çfarë u solli ky institucion qytetit dhe shtetit dhe cilat janë pritshmëritë?

E bëmë Gostivarin qytet. Unë nuk mund ta quaj një vend qytet nëse nuk ka teatër. Ne kemi fshatra përreth të cilat janë më të mëdha se disa qytete që kanë teatër për gjysmë shekulli, ndërsa Gostivari, qyteti i tretë më i madh në Maqedoni, ka qenë i diskriminuar për gjysmë shekulli. Gjithmonë u kam thënë të gjithëve, si nuk e kuptoni se duke i diskriminuar shqiptarët, ju i diskriminoni edhe maqedonasit që jetojnë në ato qytete. Luftën kundër klaneve fshatreske të organizuara në një parti politike, të cilat e shkatërruan Gostivarin, e kam udhëhequr gjatë tërë jetës. Tani erdhi koha kur u inkurajuan të rinjtë, intelektualët pjesërisht dhe me vendosmëri të fortë do ta kthejmë qytetin. Para se të luhet shfaqja e parë, teatri përhap energji të ndryshimit. Duke i zgjidhur nevojat e teatrit për një hapësirë më të madhe po tentojmë që t’i shpërngulim qiraxhinjtë dhe bibliotekën. Na duhet kjo hapësirë, ndërsa biblioteka duhet dhe meriton të jetë në një vend të bukur dhe të qasshëm. Me këtë, midis tjerash, filluam iniciativë që të themelohet muzeu dhe galeria në një vend tjetër. Me çdo problem me të cilin ballafaqohem rreth krijimit të këtij tempulli, unë ballafaqohem dhe luftoj me këto klane dhe çdo fitore e të drejtës dhe qytetarisë si rrathë koncentrike përhapet nëpër të gjithë qytetin. Edhe ky tempull i qytetarisë dhe intelektualizmit gjithnjë e më shumë do të rrezatojë.

Kaloi një vit nga vendimi i Qeverisë për formimin e teatrit. Deri ku janë procedurat dhe kur pritet ky institucion të funksionojë në tërësi?

Për më pak se një muaj duke e bërë korrierin dhe arkivuesin dhe duke hyrë drejtpërdrejt nëpër institucione duke mos dashur që ta humbas asnjë ditë në atë që thuhet “po të nis një letër” dhe duke e pritur për një javë apo dy në postë, arrita t’i hap dhe t’i mbyll 21 punësime. Këtë muaj pres që këtë ta përfundoj edhe me aktorët. Paraprakisht ishin bërë gabime në dokumentacion. Falë ekipit të ri në Ministrinë e Financave dhe të Kulturës, të cilët më duruan këtë muaj, pasi, siç u thosha edhe atyre, të gjithë ne punojmë së bashku me qytetarët, teatri do të ketë jo një, por dy premiera në dhjetor, me 29 të punësuar.

Qeveria nga buxheti shtetëror i ka miratuar rreth 150 mijë euro (10 milionë denarë) për këtë Teatër. Vallë ato mjete do t’i kënaqin nevojat që të realizohet programi?

Nuk janë 10 milionë denarë, por 4.950.000 denarë. Me një pjesë të atyre parave që i kam trashëguar, unë duhet të bëjë dy shfaqje, të aftësoj hapësira dhe zyra për të punësuarit, kompjuterë, telefona, bile edhe rregullimin e tualeteve…Unë do të fillojë me të drejtat më themelore njerëzore dhe të punëtorit, ndërsa deri në vitin tjetër do t’i zgjidhim kushtet e tjera.

Sipas asaj që është planifikuar për vitin 2019, Teatri i Gostivarit duhej t’i realizojë tri shfaqe. Viti po kalon, ndërsa në skenë nuk është luajtur asnjë. Pse ndodhi kështu, cilat ishin pengesat?

Edhe ne e parashtrojmë këtë pyetje. Gjatë tërë vitit nuk pati as punësime, e as asnjë premierë. Prandaj mu lutën në “pesë në dymbëdhjetë” ta marr këtë rol. Unë edhe më parë e dija personalisht dhe paralajmërova se çka do të ndodhë. I kisha të njohur “skenarët”. I thashë ministrit se çka do të ndodhë nëse e vendos atë njeri. Dhe kështu ndodhi. Por, kaq nga kjo. Në Nju-Jork e mësova maksimën “çdoherë shiko përpara”.

Së fundmi patët edhe mosmarrëveshje në ekipin e aktorëve. Dy aktorë kanë kërkuar shpjegime se kush dhe pse i kanë larguar nga përgatitjet e një shfaqjeje. A bëhet fjalë për mospajtime artistike ose pas kësaj pune fshihen motive të tjera?

Jo dy, por tre aktorë, ku njëri është drejtori i mëparshëm. Ata me gjitha forcat, të ulëta dhe jolegale kanë tentuar ta ndërrojnë regjisorin, ndërsa me të edhe mua të më largojnë nga fotografia, kuptohet. Unë me të vërtetë kurrë nuk kisha dëgjuar për një marrëzi të tillë. Aktor i cili është zgjedhur nga regjisori dhe është me kontratë në vepër, të kërkojë të ndërrohet regjisori! Kjo ka qenë pjesë e skenarit të përgatitur në kuzhinat politike të disave që shpejtë bien në humnerë. Ata nuk zgjedhin mjete se si të shkatërrojnë diçka që ata nuk kanë arritur ta ndërtojnë për 18 vite në pushtet. Por me çdo veprim, më thellë varrosen. Ne këtë do ta zgjedhim institucionalisht, përmes gjyqit. Si do që të jenë gjykatat tona, ai është mejdani.

Duke e marrë parasysh përvojën tuaj si aktor dhe artist, çfarë të ardhme parashikoni për Teatrin më të ri në Maqedoni?

Gjithçka varet nga zgjedhjet e ardhshme! Por mendoj se era e ndryshimeve do të bëhet uragan në prill!

Zoran Maxhoski

Të fundit