16/04/2024
18.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

VMRO-DPMNE kërkon por Qeveria nuk dëshiron të dëgjojë për zgjedhje të parakohshme

Deklaratë për sigurim të stabilitetit për qytetarët, ekonominë vendore dhe sektorin afarist në kushte të krizës globale, nënshkruan dje partnerët e koalicionit në pushtet. Në takim, që u mbajt në Qeveri, gjithashtu, u vendos që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në terminin e rregullt në vitin 2024, me çka iu dërgua përgjigje kërkesës së VMRO-DPMNE-së opozitare, e cila në protestën e së shtunës e bëri këtë kërkesë dhe paralajmëroi verë me protesta deri në përmbushjen e saj. Lidhur me propozimin francez për kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe zhbllokimin e eurointegrimeve tona, qëndrimi zyrtar do të kumtohet pasi që ai të harmonizohet nga vendet anëtare të BE-së dhe t’i parashtrohet zyrtarisht Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Siç deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, qëllimi i Deklaratës është që të jepet garanci plotësuese dhe e fortë, por edhe përkushtim i qartë politik për përshtatje të politikave të nevojës nga përballja me pasojat negative nga kriza më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore.

“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në terminin e rregullt në vitin 2024. Në periudhën e ardhshme vazhdojmë me përgjigje për krizën përmes ofrimit të pakos së re të masave antikrizë, reformave në sistem, luftës jo selektive kundër korrupsionit të lartë dhe harmonizimin e kodit zgjedhor me rekomandimet e OSBE dhe ODIHR”, theksoi Kovaçevski në konferencën për shtyp pas takimit.

Theksoi se për procesin tonë të integrimeve evropiane janë riafirmuar pozicionet e definuara në rezolutën e miratuar në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

“E riafirmuam edhe përkushtimin tonë në respektimin dhe realizimin e dispozitave nga Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Republikën e Bullgarisë, si dhe konceptin shtetëror strategjik për shoqëri të njëjtë për të gjithë”, theksoi Kovaçevski dhe shtoi se plotësisht hidhen poshtë politikat destruktive të një pjese të opozitës për bllokada të institucioneve.

Ai i bëri thirrje opozitës që t’i hetojnë dhe ndryshojnë pozicionet e deritanishme për bllokadë të shtëpisë ligjvënëse dhe tha se dialogu politik me opozitën rreth çështjeve me interes të lartë kombëtar duhet të zhvillohet në nivel konstruktiv në nivel të institucioneve të zgjedhura demokratike.

Duke i komentuar paralajmërimet për bllokada nga opozita, kryeministri përsëriti se si njeri dhe si politikan nuk pranon shantazhe, me ç’rast i bëri kritika VMRO-DPMNE-së opozitare edhe për punën në komunat me të cilat menaxhon.

“Nuk po flasim për një bllokadë për dy muaj, por për një bllokadë të Kuvendit nga opozita e dy viteve më parë. Kjo është e vetmja opozitë e papërgjegjshme në të gjithë Evropën që në vend që të dialogojë në parlament dhe në komisionet parlamentare ku është vendi për të bërë dhe promovuar zgjidhje ligjore që të bëjë më shumë për qytetarët, e vetmja gjë që bën është bllokimi i ligjeve që janë në interes të qytetarëve dhe kompanive. Vetëm po ju kujtoj se është bllokuar Ligji për shërbimin në ushtri, ligji për buxhetin e shtetit është bllokuar në Kuvend për dy vite, Ligji për arsimtarët dhe një sërë ligjesh të tjera”, tha ai, duke kërkuar nga opozita të jetë në nivelin e detyrës dhe të miratojë të gjitha ligjet me interes për qytetarët dhe kompanitë.

Edhe në kushte të krizës së madhe politike, siç tha, do të funksionohet si deri më tani dhe se do të sillen masa antikrizë dhe vendime për mbështetje të qytetarëve dhe ekonomisë.

Në reagimin ndaj konferencës për shtyp të Kovaçevskit, VMRO-DPMNE opozitare theksoi se është skandal ajo që liderët politik bëjnë takim enë qeveri dhe e partizojnë.

“Liderët e partive politike pjesë e Koalicionit në pushtet nuk janë funksionarë qeveritarë, as ministra që të takohen në qeveri dhe të mbajnë takime të koalicionit. Qeveria është për mbledhje qeveritare, të kryeministrit dhe ministrave, e jo për kryetarin e LSDM-së, Ahmetin dhe partnerët e tyre të koalicionit”, ceket në kumtesë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski paralajmëroi se kjo verë do të jetë me protesta dhe se do të pranojë takim vetëm me kryeministrin Dimitar Kovaçevskin, ku do të bisedohet vetëm për zgjedhje të parakohshme dhe për çështjet kyçe.

Në konferencën e djeshme për shtyp në selinë e BDI-së në Tetovë, kryetari i BDI-së, ALi Ahmeti deklaroi se zgjedhjet në këtë kohë nuk janë zgjidhje.

“Zgjedhjet në këtë situatë nuk janë zgjidhje. Para nesh kemi një mision shumë fisnik për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i fillojmë bisedimet me BE-në. Para nesh kemi projekte shumë të rëndësishme, jo vetëm politike, jo vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike, siç është Korridori 8 dhe Korridori 10, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sipas tij, në këto situata na nevojitet mobilizim dhe organizim më i mirë se si të përballemi me këto kriza, si t’i menaxhojmë krizat dhe si të bëjmë rrethana lehtësuese për qytetarët sa i përket menaxhimit të jetës së përditshme dhe që ta tejkalojmë sa më lehtë që është e mundur këtë situatë, këtë krizë e cila nuk po mbizotëron vetëm në Evropë por në gjithë botën”, shtoi Ahmeti.

Të fundit