13/10/2024
9.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

VMRO fillon procedurën për referendum, kjo për pushtetin është ndërprerje e rrugës evropiane

Lideri i partisë opozitare, Hristian Mickoski sot në mesditë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor do të dorëzojë iniciativë për mbajtjen e referendumit të detyrueshëm me pyetjen: A jeni për shfuqizimin e rëndësisë së Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski paralajmëroi se pyetja e opozitës për referendumin është për ndërprerjen e rrugës evropiane, përderisa për kryeministrin Dimitar Kovaçevski bëhet fjalë për jokonzistencë dhe shikimin e interesave personale, partiake për ruajtjen e funksionit të Mickoskit.

Druri helmues, nxjerr fruta helmues, kështu Mickoski dje e përshkroi situatën aktuale me kushtëzimet nga ana e Bullgarisë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian të cilat dalin nga Marrëveshje e Miqësisë dhe ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese me qëllim të përfshirjes së bullgarëve dhe pjesëtarëve të bashkësive të tjera në vend në Preambulën e Kushtetutës.

“Derisa nuk shfuqizohet Marrëveshja me Bullgarinë, VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë ndryshime kushtetuese”, deklaroi Mickoski duke theksuar se ata nuk janë kundër asaj që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por potencoi se marrëveshja është asimiluese dhe duhet të shfuqizohet.

Nënshkrimet do të fillojnë të grumbullohen sot në mesditë, ndërsa sipas paralajmërimeve të Mickoskit të parët në lista do të nënshkruhen deputetët e VMRO-DPMNE-së. Që të ketë referendum duhet të grumbullohen 150.000 nënshkrime dhe të kalojë procedurën në kuvend.

Kreu i VMRO DPMNE-së beson se nuk do të ketë pengesa në Kuvend dhe se iniciativa do të kalojë atje. Referendumi pritet të mbahet në pranverë dhe që ai të jetë i suksesshëm duhen 910.000 vota.

Që referendumi të ketë sukses, ai apelon dhe kërkon mbështetje për popullin maqedonas nga fqinjët e tyre shqiptarë, rom, turq…

“Ky është testi më i madh për popullin maqedonas në historinë më të re, tha ai, duke kërkuar mbështetje nga pjesëtarët e bashkësive të tjera në referendum.

Mickoski e përsëriti qëndrimin se me Marrëveshjen e Miqësisë me Bullgarinë është sulmuar identiteti maqedonas dhe se progresi ynë në bisedimet me BE-në do të varet nga bisedimet në komisionin historik.

“Nuk kemi asgjë kundër bullgarëve që të jenë pjesë e Kushtetutës, por me çka dëshmoi Bullgaria se është fqinj i mirë”, pyeti Mickoski dhe shtoi se “ata me këmbëngulje thonë se nuk ekziston gjuha maqedonase dhe maqedonasit”.

Nëse referendumi ka sukses dhe duhet të shfuqizohet Marrëveshja me Bullgarinë, Mickoski tha se mund të negociohet për marrëveshje të re, por edhe se bisedimet me BE-në mund të vazhdojnë.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski në konferencë për media i bën thirrje gjithë publikut, ekspertëve, partive politike, organizatave civile qytetarëve në tërësi që të përfshihen në iniciativën dhe ta mbështesin Referendumin.

“Kjo iniciativë për referendum është tërësisht evropiane sepse kundërshton politikat dhe veprimet negative që Bullgaria i drejton ndaj Maqedonisë në aspektin gjuhësor, kulturës dhe identitetit”, tha Micevski.

Presidenti i shtetit Pendarovski dhe kryeministri Kovaçevski janë kundër mbajtjes së referendumit.

“Në referendumin e opozitës do të kemi pyetje të cilat në thelb qytetarët e Maqedonisë së Veriut do t’i pyesin nëse duan të ndalojmë lëvizjen drejt BE-së, tha dje presidenti Stevo Pendarovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Sipas Pendarovskit, pyetja e opozitës për referendumin është praktikisht të ndërpresim rrugën evropiane.

“Pra, nëse e mbështesni një referendum të tillë – klasik anti-evropian, nuk ka nevojë më tej për ndryshim të Kushtetutës. Njëra përjashton tjetrën. Me pak fjalë, atë që e prisnim atë dhe e kemi marrë. Morëm pyetjen me të cilën në thelb qytetarët e Maqedonisë i pyesin ose do të pyeten – a dëshironi që të ndalojmë rrugën drejt BE-së. Kjo është çështja”, tha Pendarovski.

Sipas presidentit, është e çuditshme pse në çështjen e referendumit nuk përmendet edhe Marrëveshja e Prespës, sepse, siç thotë ai, në kornizën negociuese evropiane me të cilin kemi filluar negociatat së fundmi në të njëjtën fjali qëndron edhe Prespa dhe Marrëveshja me Bullgarinë.

VMRO-DPMNE reagoi duke e quajtur Pendarovskin shërbëtor të Qeverisë, dhe kërkoi të thotë se si refuzimi i një marrëveshjeje dypalëshe që është baza e asimilimit është një Referendum antievropian? Konstatoti se kjo është hera e parë në histori, që Presidenti i një vendi demokratik nuk dëshiron ta dëgjojë popullin.

Kryeministri Kovaçevski në pyetjen e refernndumit sheh jokonzistencë dhe sheh interesa personale, partiake për ruarjen e funskionit.

“Fillimisht, ne jemi shtet i cili filloi negociata me BE-në me një gjuhë të pastër maqedonase, me një identitet të mbrojtur dhe kjo është bërë në bazë të një propozimi që e kemi marrë nga BE-ja, propozim që është votuar në Kuvend dhe kundër të cilit nuk pati asnjë votë kundër. Atë që opozita po e bën momentalisht, po e bën vetëm për nevojat e saj të brendshme partiake – mbajtjen e pozicionit, me siguri, kryetari i tyre. Çështja e e referendumit ata me siguri do ta dorëzojnë në Kuvend”, theksoi Kovaçevski pas seancës së Këshillit të Sigurisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Në këtë moment, theksoi Kovaçevski, çdo parandalim të vazhdimit të procesit të integrimeve evropiane të shtetit është dëmtimi i qytetarëve dhe rrugës së Maqedonisë evropiane.

“Sa shpejt do të ecim ne në aderimin në BE tani varet jashtëzakonisht nga ne, sepse ne kemi detyra dhe aktivitete që duhet t’i kryejmë në vend te ne. Kjo ka të bëjë në zbatimin e skriningut të suksesshëm, për të cilin informuam dje për vendosjen e një strukture negociuese, sot erdhi kryekëshilltari te unë që do të punojë me ekipin. Ky është ish-kryenegociatori kroat me BE-në dhe përfaqësues i përhershëm në BE-në të Kroacisë dhe gjithçka që bëhet për qëllime personale, partiake është diçka që është kundër anëtarësimit të shtetit në BE”, thekson kryeministri.

Ai konsideron se edhe në opozitë ka një bllok evropian të politikanëve të cilët e mbështesin anëtarësimin e vendit në BE dhe se kjo do të konfirmohet kur ndryshimet kushtetuese për shkak të përfshirjes së pjesëve të popujve të tjerë në Kushtetutë do të vendosen për miratim në Parlament, pas të gjitha konsultimeve dhe pas të gjithë procedurës.

“Dhe diçka dua të shtoj, e kjo është se e njëjta ajo opo zitë ishte kundër Marrëveshjes së Prespës sepse do të kishim humbur identitetin. As nuk e kemi humbur identitetin, as nuk e përmendin Marrëveshjen e Prespës. E njëjta opozitë organizoi referendum kundër ndarjes territoriale në shtet dhe gjatë atij referendumi, i cili rezultoi i pasuksesshëm, foli se ditën që do të vijnë në pushtet do ta shfuqizojnë ndarjen territoriale. Njëmbëdhjetë vjet ishin në pushtet nuk e shfuqizuan ndarjen territoriale. E njëjta opozitë nuk ishte në Parlament për të votuar kundër Marrëveshjes me Bullgarinë. Kryetari i asaj opozite para kamerave në gjuhën bullgare kryeministrit bullgar i tha se e mbështet Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe tani del me çështje referendumi kundër Marrëveshjes me Bullgarinë të cilën e ka mbështetur para kamerave. Kjo është një jokonsistencë, shikim të interesave personale partiake që nuk kanë mbështetje as te qytetarët dhe as te partitë politike në opozitë”, theksoi kryeministri Kovaçevski

Nga LSDM, kryetar i të cilit është Kovaçevski, theksuan se referendumi kundër BE-së nuk do të ketë sukses, ndërsa Mickoski nuk mundet ta pengojë të ardhmen evropiane.

“Hristian Mickoski nuk di më çfarë të bëjë për të mbajtur ulësen e tij të lëkundur në Pallatin e Bardhë, pasi të gjitha gënjeshtrat dhe përpjekjet e tij për të bllokuar të ardhmen evropiane të vendit dështuan. Njoftimet e tij për bullgarizimin dhe asimilimin dështuan, skenarët e tij për destabilizim dështuan, përpjekjet për një bllokadë dështuan, ai mbeti vetëm me të Majtën proruse dhe partnerin e tij Apasiev, kundër BE-së”, theksuan nga partia në pushtet.zhurnal.mk

Të fundit