24/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Votë për akademikët

Imagjinoni një fushatë zgjedhore të kandidatëve që nuk janë politikanë! E gjeni në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet presidenciale atje do të mbahen më 21 prill dhe gara midis tre kandidatëve – të gjithë akademikë, asnjëri politikan i karrierës – është dominuar nga debati mbi çështje si integrimi në strukturat perëndimore.

Në një vend ku fushatat e mëparshme zgjedhore janë përshkuar me dhunë, truke të pista dhe retorikë të mprehtë nacionaliste, maqedonasit duken të lumtur që janë në gjendje të zgjedhin kandidatë bazuar në opinionet e tyre, e jo në regjistrime të përgjuara, akuza për mashtrime zgjedhore dhe thashetheme në mediat sociale.

Këta kandidatë janë: Stevo Pendarovski, koordinator i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, i cili mbështetet nga Social-Demokratët në pushtet; profesorja universitare, Gordana Siljanovska-Davkova, kandidatja e parë grua e këtij vendi, dhe Blerim Reka, ish-ambasador në Bashkimin Evropian, i cili mbështetet nga dy parti shqiptare.

Të tre kanë nënshkruar një kod për zgjedhje të drejta dhe demokratike përpara fillimit të fushatës, duke sinjalizuar një kthesë të re në historinë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.

“Është koha që të kemi mundësinë për të zgjedhur një person, i cili do të jetë i qëndrueshëm në kohën e këtyre ndryshimeve”, thotë Ibrahim Hazimi nga Shkupi.

Pas arritjes së marrëveshjes historike me Greqinë për të ndryshuar emrin në Maqedoni e Veriut dhe për t’iu dhënë fund mosmarrëveshjeve që e kanë bllokuar rrugën e tij drejt NATO-s dhe BE-së, ky vend nuk pritet të ndryshojë udhë pas zgjedhjeve presidenciale.

Maqedonia e Veriut ka nënshkruar një protokoll të pranimit në NATO në shkurt dhe qeveria e kryeministrit Zoran Zaev e ka bërë anëtarësimin në BE synim kryesor të politikës së jashtme.

Edhe pse Zyra e Presidentit ka përgjegjësi të kufizuara, presidenti ka nënshkrimin përfundimtar mbi legjislacionin dhe është udhëheqës i ushtrisë.

Presidenti në largim, Gjorge Ivanov, e ka mbajtur gjallë çështjen e emrit gjatë muajve të fundit të mandatit të tij pesëvjeçar, duke refuzuar të nënshkruajë ligje që përmbajnë emrin e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe disa që janë kritike për miratimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.

Pendarovski, 55 vjeç, ish-profesor i shkencave politike, e mbështet fuqishëm të ashtuquajturën Marrëveshje e Prespës, e nënshkruar me Greqinë vitin e kaluar, për të ndryshuar emrin e vendit, ndërsa Siljanovska-Davkova e kritikon, edhe pse opozita ka thënë se nuk do ta anulojë atë.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave, dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në balotazh më 5 maj, ku pjesëmarrja e elektorartit duhet të jetë së paku 40%, në mënyrë që rezultati të jetë i vlefshëm.

Një numër i madh qytetarësh janë të zhgënjyer në përgjithësi me politikën dhe janë lodhur nga betejat politike dhe proceset zgjedhore, viteve të fundit.

Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të motivohen ata që janë të pavendosur dhe ata që janë të zhgënjyer

Dikur pjesë e Jugosllavisë, Maqedonia e Veriut ka lënë ombrellën e Beogradit kur është ndarë në mënyrë paqësore në vitin 1991. (Valona Tela/rel)

Të fundit