Leonard Allen Cure kaloi 16 vjet në burg për shkak të një dënimi të gabuar, ku më pas u shpall i pafajshëm. Të hënën, një oficer policie në shtetin amerikan të Georgias e vrau, tre vjet pasi u lirua, shkruan BBC. Ai u qëllua pasi policia i ndaloi veturën. Autoritetet pretendojnë se 53-vjeçari ka sulmuar policinë. Pasi është qëlluar me armë ka ndërhyrë ambulanca, por nuk i ka mbijetuar plagëve. “Vetëm ta imagjinoni se si është të dish që djali yt është i pafajshëm dhe ta shikosh duke u dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas ai lirohet dhe të thuhet se u vra nga një oficer”, ka thënë Seth Miller, avokati që përfaqësoi Curen gjatë gjyqit sa ishte në burg.
Vetura e tij u ndalua teksa ecte në autostradën që lidh shtetet e Georgias dhe Floridas. Ai doli nga automjeti dhe kur i thanë se do të arrestohej, nuk i zbatoi kërkesat e policisë. Pasi oficeri përdori elektroshokun, Cure e sulmoi atë. Oficeri përdori sërish elektroshokun dhe më pas e goditi me shkop. Më pas nxori armën dhe e ka qëlluar. Policia nuk ka dhënë detaje se përse duhej arrestuar Cure. Ai u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2004 për grabitje të armatosur dhe sulm në Florida. U lirua nga burgu në vitin 2020 pasi u shpall i pafajshëm. U pagua 817 mijë dollarë si kompensim pasi qëndroi në burg i pafajshëm.