19/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vuçiq kërkon tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga veriu

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, ashtu si edhe të kryetarëve të komunave me kombësi shqiptare.

Vuçiq i bëri komentet në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it: Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, njofton kabineti i tij.

“Shpresoj se do të mund ta bindni [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti që t’i tërheqë forcat e tij dhe kryetarët personalë nga veriu”, tha Vuçiq.

MPB-ja mohon se ka marrëveshje për tërheqjen e policisë nga Zveçani
Në takim mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, raporton Radio-Televizioni i Serbisë.

Sipas komunikatës që iu dërgua mediave, Vuçiq tha, po ashtu, se Serbia do ta vazhdojë komunikimin me përfaqësuesit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me “besimin më të mirë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”.

“Presidenti shprehu keqardhjen e tij për ushtarët e lënduar të KFOR-it, por theksoi se një numër shumë më i madh i serbëve u plagosën, se kundër tyre u përdorën armë zjarri dhe forcë e madhe fizike, edhe pse ata që në fillim bënë rezistencë të padhunshme”, thuhet në deklaratë.

Tridhjetë ushtarë të KFOR-it u plagosën të hënën në Zveçan – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës – ku protestues serbë kundërshtuan kryetarin e ri shqiptar.

Vuçiq, gjatë ditës, do të takohet edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.

Takimet vijnë një ditë pasi protestues serbë në Zveçan – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës – u përplasën me ushtarë të KFOR-it.

Tridhjetë ushtarë të KFOR-it u plagosën të hënën në Zveçan dhe dhjetëra të plagosur u raportuan edhe në anën e protestuesve.

Për t’u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
Protestuesit në këtë komunë, ashtu si edhe në dy të tjera, Zubin Potok dhe Leposaviq, protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.

Protestat janë duke vazhduar edhe sot.

Mbrëmjen e së hënës, Vuçiq u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos përplasen me NATO-n.

Qeveria e Kosovës ka fajësuar Beogradin për “dirigjimin e turmës ekstremiste” në veri të shtetit.

Por, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”.

Të fundit