Presidenti serb Aleksandar Vuçiq porositi se rajoni mund të jetë një faktor i rëndësishëm vetëm me bashkëpunim, sepse vetëm së bashku mund të kapërcehen të gjitha sfidat, përfshirë pandeminë aktuale.
Siç raporton korrespodenti i MIA-s nga Beogradi, Vuçiq në fjalimin e tij në video panelin në kuadër të forumit të 5-të rajonal të liderëve të rinj me temë “Ndërlidhja gjatë pandemisë: kërcënime dhe mundësi”, ku morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se të gjitha vendet tona janë shumë të vogla dhe se vetëm përmes bashkëpunimit dhe lidhjes mund të arrihen rezultate të konsiderueshme në ekonomi dhe në ndërtimin e së ardhmes.
Lidhur me këtë, ai kujtoi se në takimin e fundit nuk është arritur marrëveshje mbi bashkëpunimin shëndetësor në luftën kundër kovid-19, duke shprehur shpresën se do të arrihej përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje.
“Kjo Marrëveshje do t’u mundësojë qytetarëve të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të udhëtojnë pa test PCR, duke u besuar autoriteteve shëndetësore të vendeve. Kjo do të thotë gjithashtu ndihmë e ndërsjellë, ndër të tjera, që qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të jenë në gjendje të përdorin spitalet tona për trajtim, gjë që do të na bëjë shumë më të fortë, shpjegoi Vuçiq, duke shtuar se bashkëpunimi përfshin shkëmbimin e pajisjeve mjekësore dhe gjithçka tjetër që nevojitet në luftën kundër Kovid 19.”
Sipas tij, nisma “Shengeni i vogël” do të ndryshojë rajonin.
Vuçiq theksoi se lidhja përmes “Shengenit të vogël” parashikon inkurajimin edhe të sipërmarrjeve, duke ndihmuar fillimin e një biznesi, i cili është i mirë për të rinjtë.
Ne duhet të bashkëpunojmë në fushën e arsimit, dhe tashmë ka bashkëpunim në zhvillimin e infrastrukturës dhe tregtisë, shtoi ai.
Ai theksoi se e sheh rajonin e Ballkanit si një nxitës të fortë të rritjes së ardhshme ekonomike evropiane.
I pyetur nëse mund të thuhet se përmes kësaj iniciative vendet tona po përgatiten për në BE, Vuçiq tha se të tria vendet janë në rrugën evropiane.