20/04/2024
5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Xhaçka në Shkup: Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të vendosura të ecin përkrah njëra tjetrës në procesin e mbetur të skriningut dhe hapjen e kapitujve të anëtarësimit në BE, duke mos komentuar se çfarë do të ndodhë nëse vendi nuk realizon në kohë ndryshimet kushtetuese. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka, gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare në Shkup tha se është e rëndësishme që të gjithë aktorët politik të kuptojnë se ky është një tren që nuk duhet humbur.
“Unë mendoj se gjithë faktorët politik në vend, duhet të kenë interesin e vendit dhe të qytetarëve të parin në çdo vendimmarrje të tyre. Mendoj që ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen, dhe të gjithë duhet të tregohen të vetëdijshëm se duke bërë një veprim të tillë do t’i hapin rrugën integrimit dhe prosperitetit të vendit dhe qytetarëve të tyre. Ndërkohë që sa na takon ne kemi ecur krah për krah në këtë proces kemi qenë vazhdimisht të koordinuar dhe do të vazhdojmë të ecim krah për krah në këtë proces”, deklaroi Olta Xhaçka, ministre e Jashtme e Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se vendi është mirënjohës që Shqipëria nuk taktizoi asnjëherë në avantazh të pozitës së saj dhe nuk loboi që të ecte e vetme përpara në kohën kur Shkupi pengohej nga Sofja.

“Unë nuk mendoj se është e ndershme që t’i kërkoj Shqipërisë që nëse hipotetikisht në nëntor nuk do t’i arrijmë ndryshimet kushtetuese të ndalet dhe të mos vazhdon procesin, procesi është individual dhe bazohet në meritokraci individuale të shteteve. Por dua të kthehem në atë që potencoi ministrja, është një moment i papërsëritshëm në dinamikën e imponuar evropiane të rajonit. E tha ministrja, lufta në Ukrainë, Marrëveshja Kosovë-Serbi, ndërgjegjësimi i BE-së po krijon një mundësi… Viti 2030 është një mundësi reale për të dyja vendet që të përmbyllim me sukses këtë proces dhe unë personalisht besoj në këtë”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Osmani e Xhaçka nga ky takim i dhanë mbështetje marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër duke kërkuar nga palët që ta respektojnë atë. Mes tjerash ata diskutuan edhe për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, duke qenë se të dy vendet kanë qenë cak i sulmeve të tilla në periudhën e fundit. /Alsat.mk

Të fundit