29/03/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Xhaferi e nënshkroi Deklaratën e përbashkët në Samitin e kryetarëve të parlamenteve nga Ballkani Perëndimor

Nënshkrim i Deklaratës së përbashkët në Samitin e kryetarëve të parlamenteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në Bruksel merr pjesë në Samitin e kryetarëve të parlamenteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Parlamentit Evropian, që organizohet nën patronazhin e Kryetarit të Parlamentit Evropian David Sasoli.

Samiti, i ndarë në tre pjesë, në pjesën e parë përfshiu diskutim për përforcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ardhmërinë e Evropës, në pjesën e dytë këmbim të opinioneve me koordinatorët e partive politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian dhe në fund, këmbim të opinioneve me kryetarët e parlamenteve të gjashtë shteteve nga Ballkani Perëndimor me anëtarët e Grupit të punës për Ballkanin Perëndimor të Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.

Së bashku u vlerësua se organizimi i Samitit sugjeron se Parlamenti Evropian i sheh vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë dhe dëshiron ta dëgjojë zërin e tyre, se politika e zgjerimit është një nga politikat më të fuqishme dhe më të suksesshme të Bashkimit Evropian dhe se procesi është dykahësh ndërsa përfitimi për të dyja palët. Pjesëmarrësit u pajtuan se bashkëpunimi duhet të intensifikohet ndërsa marrëdhëniet të mbesin të afërme pasi qëllimi është i përbashkët dhe ai është, të tejkalohen skepticizmi dhe disa qëndrime këmbëngulëse, a parlamentet të kenë rol të përforcuar në procesin e eurointegrimit.

Kryetarët e parlamenteve të Republikës së Shqipërisë, të Bosnjës dhe Hercegovinës, të Republikës së Kosovës, të Malit të Zi, të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, bashkë me Kryetarin e Parlamentit Evropian dhe Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kroacisë, si përfaqësues i kryesimit kroat me Këshillin e Bashkimin Evropian, miratuan dhe nënshkruan Deklaratë të përbashkët, si reflektim të përpjekjeve të përbashkëta dhe përkushtimit për përforcimin e dimensionit parlamentar të procesit të zgjerimit.

DEKLARATË E PËRBASHKËT

Ne, Kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me Kryetarin e Parlamentit të Evropës dhe Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, si përfaqësues i Kryesimit të Kroacisë me Këshillin e BE-së,

Evërtetojmë rolin kryesor të parlamenteve në avancimin e agjendës reformuese për BE-në dhe përmbushjen e aspiratave evropiane të njerëzve nga Ballkani Perëndimor;
2. E thërrasim Këshillin Evropian që të vazhdojë ta mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në bazë të përmbushjes së kritereve për aderim dhe të japë porosi politike të qartë dhe pozitive për fillimin e negociatave për anëtarësim dhe për dhënien e statusit të kandidatit;

3. Konsiderojmë se Samiti në Zagreb mund të ketë rol kryesor në kthimin e kredibilitetit të politikës për zgjerim dhe në dhënien e nxitjes së re, efektive të procesit përmes konkluzioneve konkrete të cilat do ta çojnë rajonin më afër BE-së dhe do ta sigurojnë qëndrueshmërinë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor;

4. E vërtetojmë përkushtimin e plotë të parlamenteve të vendeve tona për të marrë pjesë në vështrimin e “qasjes së përtëritur” të zgjerimit me qëllim që procesi të bëhet më demokratik, më transparent dhe më të afërt me qytetarët dhe shoqërinë civile; vërtetojmë se sundimi i së drejtës është – dhe duhet të mbetet gur themel i procesit të aderimit;

5. Besojmë fuqishëm se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të jetë i dobishëm për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe për njerëzit e vendeve-anëtare të BE-së dhe mund të shpijë në pajtim në rajon, gjë që është shumë e nevojshme;

6. Konsiderojmë se, meqë përgatitjet për Konferencën për ardhmërinë e Evropës shënojnë intensitet, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë tërësisht të lidhura me punën e konferencës;

7. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku për të përforcuar demokracisë parlamentare dhe dimensionin parlamentar të procesit të zgjerimit, si dhe për të thelluar kulturën parlamentare të bazuar në ndërtimin e konsensusit përmes dialogut të mirëkuptimit, të hapur, gjithëpërfshirës dhe jokonfrontues; të udhëhequr nga interesi për paqen afatgjate; e theksojmë rëndësinë e programeve për mbështetjen parlamentare dhe për ndërtimin e kapaciteteve të zbatuara në nivelin lokal dhe rajonal dhe të mbështetura nga Parlamenti Evropian;

8. Ne besojmë se përforcimi i parlamenteve është një pjesë thelbësore e procesit të zgjerimit sepse vetëm parlamentet e forta dhe efikase me një kulturë të fortë të dialogut gjithëpërfshirës dhe ndërtimin e konsensusit mund të jenë shtytës real dhe efikas të reformave.

Më në fund, ne, kryetarët e parlamenteve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e plotë të Kryetarit të Parlamentit Evropian dhe Kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, si përfaqësues i Kryesimit Kroat me Këshillin e BE-së, zotohemi t’i udhëheqim parlamentet tona përkatëse në këtë rrugë dhe të ndihmojmë në krijimin e një momenti të ri politik në procesin e zgjerimit që i plotëson pritjet e të gjithë qytetarëve tanë.

David Marija Sasoli

Kryetar i Parlamentit Evropian

Gordan Jandrokoviq

Kryetar i Parlamentit të Kroacisë

Gramoz Ruçi

Kryetar i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë

Denis Zvizdiq

Kryesues i Dhomës Përfaqësuese, Kuvendi Parlamentar i Bosnjë e Hercegovinës

Dragan Çoviq

Kryesues i Dhomës së Popujve, Kuvendi Parlamentar i Bosnjë e Hercegovinës

Glauk Konjuvca

Kryetar i Kuvendit të Kosovës

Ivan Brajoviq

Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi

Talat Xhaferi

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Maja Gojkoviq

Kryetare e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë

Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut./MEDIAL.mk/

Të fundit